Mediat sociale dhe shtetërore në Iran, të dielën e dy tetorit kanë raportuar se policia iraniane është përleshur me studentët në një nga universitetet më të mëdha të vendit. Nga këto raporte njoftohet se një numër i madh studentëve në universitetin “Sharif” në Teheran janë bllokuar në parkun e makinave të kampusit.
Nga videot e postuara në rrjetet sociale, pamjet tregojnë studentët duke ikur nga Forcat e Sigurisë.
Në një video tjetër, shihet se Forcat e Sigurisë me motoçikleta qëllojnë në një makinë që mbante pasagjerin, i cili ishte duke bërë video.
“Iran International” citon raporte që thonë se Forcat e Sigurisë sulmuan konviktet e studentëve dhe qëlluan me armë në konviktet e tyre.
E diela ishte dita e parë e semestrit për shumë studentë që ndjekin për herë të parë universitetin “Sharif”. Raportet njoftojnë se turmat e studentëve pasi kanë dëgjuar përleshjet ishin mbledhur jashtë portës kryesore të kampusit vonë në mbrëmje, raporton BBC.
Protesta janë duke vazhduar në Iran nga shtatori i kërij viti, pas vdekjes së një gruaje të ndaluar nga Policia e moralit.
Mahsa Amini, 22 vjeç, ra në koma disa orë pasi policia e moralit e arrestoi për dyshimin se kishte thyer rregullat e shamisë. Oficerët policorë, thuhet se e kanë rrahur me shkop dhe e kanë goditur kokën e saj në një nga automjetet e tyre. Policia ka thënë se nuk ka prova për ndonjë keqtrajtim dhe se ajo pësoi “insuficiencë të papritur të zemrës”.
Protestat në Iran nisën në funeralin e saj dhe janë përhapur në të gjithë vendin.