Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se mësimi në Kosovë filloi në mënyrën më të keqe të mundshme.
“Sepse nxënësit, mësimdhënësit janë të demotivuar nga mazhoranca. Mësimi do të duhej të fillonte me një marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Abelard Tahiri tha se nuk duhet të cenohet komuniteti i mësimdhënësve, sepse puna e tyre sipas tij, është e pashembullt. Ai ka shtuar se do të presin brenda afatit pesëditor që të ekzekutohen pagat.
“Nëse nuk ekzekutohen pagat brenda këtyre ditëve, do të dorëzojmë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së.
Sipas Tahirit, ministri Murati është i papërgjegjshëm dhe nuk funksionon mbi bazën ligjore që do të duhej të funksiononte, por mbi teket e veta.