Pandemia bëri që vëllezërit Havolli të bëhen bashkë dhe të krijojnë bendin e tyre muzikor. Bëhet fjalë për bendin Hawolf, të përbërë nga Ylli, Ylberi, Graniti dhe Lum Havolli.
Të ftuar në emisionin “Drive on D” në Radio Dukagjini me Donika Hyseni dhe Mirdon Pacolli, prezentë ishin dy vëllezërit Ylli dhe Graniti që kanë diskutuar për albumin e tyre të sapopublikuar, i cili ka marrë përkrahje të madhe.
“Kemi publikuar albumin Ear for Peace dhe ky projekt i yni vjen nga thellësia e zemrave tona, në të cilin kemi punuar shumë gjatë gjithë këtij procesi të prodhimit.
Jemi shumë të lumtur për inspirimin që ja ofrojmë njëri tjetrit dhe uroj që do të kemi mundësi t’i frymëzojmë edhe të tjerët”, ka deklaruar Yll Havolli.
Albumi ‘Ear for Peace’ i dedikohet të gjithë njerëzve që luftojnë me shëndetin mendor apo depresionin, si dhe njerëzit që kanë humbur miqtë dhe familjarët e tyre gjatë Pandemisë Covid-19.
Pavarësisht krijimit të këtij grupi, ata individualisht janë të angazhuar edhe nëpër grupe të tjera.
“Jemi të kënaqur nga pritja dhe përkrahja që na është bërë nga mediat, shoqëria dhe njerëzit në përgjithësi sepse është diçka që na motivon. Ju themi të gjitha grupeve të zhanrit rock, të vazhdojnë të luajnë dhe të merren me muzikë, sepse ja vlen”, ka potencuar Granit Havolli.
Hawolf vjen me performancën e parë në Qendrën për Kulturë Alternative – Defy Them më datën 15 tetor nga ora 20:00, me mysafirët special PinkMetal dhe Shlem. 100 biletat e para do të marrin CD Albumi falas.