Përmes një videoje dy minutëshe në faqen zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur akuza për keqqeverisje në të kaluarën, e për sabotazh përmes sindikatave tash. Fajtorët për këto dy çështje sipas tyre janë të gjitha partitë e pothuasje të gjithë liderët që kanë qeverisur në të kaluarën.
Ish-kryeministri, Isa Mustafa në një përgjigje për RTV Dukagjini ka ironizuar me akuzat duke i cilësuar si “film i mirë”. Ndërkaq, nga opozita thonë se LVV-ja përmes kritikave po mundohet ta mbuloj dështimin në qeverisje.
Në stilin e kohës sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur kritika në pothuajse të gjithë politikanët, e në secilën parti që ka qeverisur me vendin.
nga partia në pushtet portretizohen si politikanë që Kosovën e kishin ndarë në zona të interesit.
“Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihnin vec si tender, si haraç, si krim, si korrupsion, e si çka tjetër”, thuhet në videon e publikuar nga LVV.
Njëri nga pesë të apostrofuarit për këto akuza është përgjigjur shkurtimisht e me ironi. Në përgjigjen për RTV Dukagjini duke qeshur, Mustafa e ka cilësuar “film të mirë” videon kritikuese të Vetëvendosjes.
“Film i mirë, hahaha!”, ka shkruar Mustafa.
Kritikave të partisë në pushtet i është përgjigjur edhe bashkëpartiaku i Mustafës. Deputeti Avdullah Hoti thotë se Qeveria “Kurti” në vend se të merret me projekte infrastrukturore po merret me partitë opozitare.
“Pas një viti e gjysmë në qeverisje, në vend që partia në pushtet të promovoj rrugë të reja, shkolla e spitale të reja, njohje të reja për shtetin e Kosovës, stadiume sipas standardeve të FIFA-s, furnizim me ujë për fshatrat që ende nuk kanë ujë, investime në sisteme të ujitjes në bujqësi, ajo parti i kthehet propagandës së mashtrimit, shantazhit ndaj atyre që e kundërshtojnë dhe fajësimit të qeverive të mëparshme për mungesën e rezultateve të veta”, ka deklaruar Hoti.
Përgjigje të ngjashme për kritikat e Lëvizjes Vetëvendosje kanë edhe nga Partia Demokratike. Deputeti Xhavit Haliti bënë thirrje që kushdo që ka prova për të bëmat e tij t’i drejtohet Prokurorisë.
“Kam menduar se këta do të punojnë, por rezultati i tyre është evident”, ka thënë Xhavit Haliti, Deputet i PDK-së. Përveç sharjeve dhe shpërndarjeve të ndihmave për interesa elektorale, nuk kanë bërë asgjë. Kanë larguar nga puna disa persona dhe kanë vendosur ata të VV-së. Nuk po shoh projekte të realizuara nga ta në Kosovë, nuk ka spitale, mirëmbajtje të rrugëve, është ndërprerë ndërtimi i ujësjellësve. Sa i përket, jam plotësisht dakord që të bëmat e mija personale lirisht le ta dërgojnë në prokurori”, ka thënë ai.
Ndërkohë zëdhënësi i partisë më të vogël opozitare, vlerëson se kjo video është vazhdimësi e gënjeshtrave të orkestruara.
“Kemi në pushtet, qeverinë e gënjeshtrës dhe mashtrimit, qeverisë së degradimit ekonomik, qeverinë e krizës energjetike dhe ngritjes enorme të çmimeve. Kemi në pushtet qeverinë që punësoi familjarët, kapi bordet, korrupsionit i dha model e formë të re, e që Kosovën po provon ta kthejë në sistem njëpartiak, pasi që ka nën kontroll të plotë edhe Presidencën, e ka tendenca për kontroll të gjyqësorit dhe mediave”, ka thënë Lulëzim Blaka, Zëdhënës i AAK-së.
Megjithatë partitë të cilat i përfaqësojnë parafolësit, Vetëvendosje i kritikon edhe tash kur nuk kanë pushtet. Sipas tyre opozita po i saboton në forma tjera.
Sa i përket sindikatave kjo nuk është e vetmja kritikë që i lidhë me pushtetin. Sa ishte greva në arsim, vet kryeministri Albin Kurti i kishte cilësuar sindikalistë të PAN-it, duke iu referuar partive, PDK, AAK dhe NISMA.