Gjatë ditës së sotme Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka pranuar një letër nga drejtoresha e ENQA-s, kjo e fundit kishte konfirmuar se është pranuar aplikacioni i Agjencisë së Akreditimit për Statusin anëtar “affiliate”.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se në mbledhjen e 20 shtatorit 2022, Bordi i ENQA-s shqyrtoi aplikacionin tuaj për anëtarësim në ENQA dhe vendosi t’i japë AKA statusin e ‘affiliate’ në ENQA”, shkruan në letrën e drejtoreshës së ENQA, drejtuar drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim Naim Gashi.
Në këtë njoftim thuhet se nga dita e sotme Agjencia e Kosovës për Akreditim mund të përdor logon e ENQA-s në të gjitha vendimet dhe komunikimet e saj brenda dhe jashtë territorit të Kosovës.
Ndërkaq një gjë të tillë nga AKA-ja e kanë vlerësuar si arritje të jashtëzakonshme, duke shtuar se nga kjo do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti në përgjithësi.
“Vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane. Po ashtu, ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë”, kanë shkruar AKA-ja në postimin njoftues në rrjetin social facebook.
Tutje Agjencia e Akreditimit i ka falënderuar për përkrahje institucionet e Kosovës, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT), komunitetin e donatorëve, duke e quajtur këtë si arritje të përbashkët.
“Me vendimin e sotëm Agjencia e Kosovës për Akreditim është vetëm edhe një hap larg për tu bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA”, kanë përfunduar AKA-ja në postim.