Zenun Nimani nga radhët e SBASHK-ut ka thënë se nuk ka çfarë të thotë për propozimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ngase nga e njëjta, nuk është kuptuar gjë dhe se ajo punë, mbetet e pasqaruar.
Në një lidhje direkte në FIVE të RTV Dukagjni, Nimani ka thënë se në kontratën kolektive përmendet se orët e humbura nuk do të zëvendësohen dhe se për të njëjtat, mësuesit kanë filluar riplanifikimin e orëve.
“Nuk e di çka të them, pothuajse agjë nuk po kuptojmë, është e pasqaruar ajo punë. Në kontratën kolektive shumë mirë ceket se orët e humbura nuk zëvendësohen. Mësimdhënësit kanë filluar planifikimin që bredna orëve të rregullta dhe ditëve të rregulluta të punës, të ulen orët e humbura dhe të futen njësitë kur ka mundësi ashtu që të përfshihen orët e humbura dhe deri në fund të planprogramit, të njëjtat të zëvendësohen”, ka deklaruar Nimani.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht, gjendet në takim me kryetarët e shoqatave sindikale dhe se deri tani, të gjithë janë të këmbëngulur se orët e humbura përgjatë grevës në arsim nuk do të zëvendësohen.
Ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) i ka propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që kjo e fundit të shqyrtojë mundësinë e pagesës në avancë për mësimdhënësit, përkatësisht për pagesën e muajit tetor.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është e përkushtuar për zbatimin e Ligjit për Grevën, i cili përveç të tjerash parasheh edhe pezullimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve nga kontrata e punës, përfshirë edhe të drejtën e pagës për ditët e grevës. Megjithatë, duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e Vitit Shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avancë, ashtu që familjet e mësimdhënësve të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor”, ka shkruar Nagavci.
Përveç kësaj, Nagavci ka thënë se tetë ditë të mësimit të pambajtura për klasat parafillore dhe klasat (1-8) sipas UA-05/2022 për Kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 do të mbahen ditëve të shtune.
“Në muajin Tetor, 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022, në muajin Nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022, në muajin Dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022 dhe në muajin Janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023”, ka shkruar ajo.
Arsimi në vend e gjeti shtatorin në grevë. E njëjta tashmë është pezulluar ndonëse është paralajmëruar që të vazhdojë në janarin e vitit 2023 në rast të mosplotësimit të kërkesave të grevistëve.
MASHTI propozon alternativë tjetër për pagesat e mësimdhënësve