Të mërkurën e 5 tetorit, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i ka bërë thirrje sërish Qeverisë së Kosovës që të procedojë pagat për mësimdhënësit, duke theksuar se komunat janë përgjegjëse për vijueshmërinë në punë dhe ndalesat eventuale sipas legjislacionit në fuqi.
“Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhur të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit”, thuhet në njoftim.
AKK ka thënë se Ministria e Financave është vetëm ekzekutuese e pagesave, jo edhe ndërmarrëse e veprimeve të njëanshme pa asnjë vendimmarrje të punëdhënësit, në këtë rast të komunave.
Ndër të tjera, thuhet se kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë.
Po ashtu, kanë theksuar se Komunat e Kosovës padrejtësisht edhe kësaj radhe po goditen në këtë garë të panevojshme “ku humbësit më të mëdhenj janë nxënësit e Kosovës”.
“Mosekzekutimi i pagave është qasje e panevojshme dhe nuk shkon në dobi të stabilizimit të procesit arsimor”, thuhet tutje.
Ndryshe, mosekzekutimi i pagave vetëm për mësimdhënësit është cilësuar si ndëshkim nga Kryetari i Asociacioni të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili ka thënë se edhe punëtorët e administratës kanë qenë në grevë, por pagat ndaj tyre janë ekzekutuar.
Sipas Sazan Ibrahimit, Qeveria e Kosovës po i ndëshkon vetëm mësimdhënësit