Bislimi për liberalizimin e vizave: Po i kryejmë detyrat tona, kemi diskutuar me vendet skeptike

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se kanë zhvilluar takime të ndryshme me vendet skeptike për çështjen e liberalizimit të vizave, edhe me ato që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi





Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në Komisionin për Integrime Evropiane, teksa ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave ka thënë se kanë zhvilluar takime të ndryshme me vendet skeptike dhe me ato që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndonëse ka theksuar se detyrat po i kryejnë mirë, megjithatë ai ka ngurruar të japë detaje duke thënë se pas kryerjes së disa procedurave do të deklarohet.

Kemi pasur vizita në Irlandë, Holandë, Pragë-Çeki, gjithandej kemi biseduar me secilin vend skeptik dhe pastaj me këto vende jemi takuar dhe kemi biseduar me vendet mosnjohëse. Kemi diskutuar edhe me Greqinë. Dje kam qenë në takim me ministrin e Mbrojtjes ku kemi diskutuar për procesin e vizave, dhe si Çekia si Sllovakia do ta përkrahin këtë proces”, ka thënë ai.

“Kemi vende të cilat kanë skeptike, ose kanë qenë skeptike dhe i kemi mbuluar me të dhëna për secilën pyetje që na kanë drejtuar. Nuk është që nuk po i kryejmë detyrat, jemi duke i kryer edhe shumë më shumë se që kemi menduar se kemi kapacitete”, shtoi Bislimi.

Ai i ka renditur disa nga procedurat në të cilat pritet të kalojë procesi i liberalizimit të vizave.

“Më 13 tetor do të nxirret në votim në grupin e përbashkët për vizave, dhe nëse këtu kalon mirë, shkon faza e dytë që është votimi, pastaj nis dialogu ndërinstitucional mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Pastaj duhet të kalojë votimi në Parlamentin Evropian i rregullores së re me plotësim-ndryshimin ku zhvendoset Kosova dhe pastaj ky ndryshim i rregullores duhet të adaptohet nga Këshilli i Evropës dhe në fund Parlamenti Evropian dhe Këshilli i ministrave e nënshkruajnë aktin final. Duhet të pritet 20 ditë pastaj të hyjë në fuqi”.

“Kur të kryhen këto procedura, unë dal dhe flas se çfarë ka ndodhur në ndërkohë. Por tash është herët të flasim për kontribute”.

Sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë, Bislimi derisa e ka cilësuar si një temë të ndjeshme, për të njëjtën ka thënë se janë disa elemente të cilat nuk mund të dalin në publik për shkak se të njëjtat rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit.

“Unë nuk mund të them se çfarë do të bëjmë më 30 tetor. Jemi munduar që të mos i sjellim vendit asnjë rrezik dhe kudo që kemi pasur mundësi për të ndryshuar diçka e kemi përmirësuar”, ka thënë ai.

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas planit që ka prezantuar ajo, çështja e vizave do të diskutohet më 13 tetor.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona shengen.

Në qershor të vitit 2016, Komisioni Evropian pati vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, mirëpo për finalizim të procesit pati vënë kusht që të arrihej marrëveshje për ratifikimin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe që të kishte rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

Më pas më 2018, Komisioni Evropian pati konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe pati propozuar liberalizim.

Parlamenti Evropian e ka mbështetur këtë vendim, mirëpo disa vende skeptike si Franca dhe Holanda nuk janë pajtuar me vlerësimet e Komisionit në tërësi.

Në mesin e shqetësimeve të tyre ishte edhe ajo e rritjes së numrit të banorëve të Kosovës që do të synonin BE-në dhe keqpërdorimin e lirisë së lëvizjes për të kërkuar azil në bllokun evropian.

Raste të tilla kanë ndodhur me shtetasit e Shqipërisë, Gjeorgjisë dhe disa vendeve të tjera.

Zyrtarë të BE-së besojnë se tani ekziston “moment pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën”, duke shtuar se ky proces “duhet të finalizohet brenda disa muajve”.

Nëse arrihet pajtueshmëri, liberalizimi i vizave do të vlejë për bartësit e pasaportave biometrike të Kosovës.

Përveç vendeve të BE-së, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin edhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika