Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje qeverisë që të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të ndaloj kërcënimet, dhe se ajo duhet të jetë shembulli i respektimit të lirisë së medias.
Lideri i opozitës kosovare, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se ky është një prej obligimeve themelore të një qeverie demokratike, andaj kjo po i mungon qeverisë ka thënë Krasniqi.
“Raporti për Të Drejtat e Njeriut në Kosovë, i publikuar së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përveç që ka evidentuar shumë dimensione të qeverisjes së paaftë të cilat i kemi thënë vazhdimisht edhe ne si opozitë, ka nxjerrë në pah përkeqësimin e një prej shtyllave qendrore të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe mediave”, ka shkruar Krasniqi.
I pari i PDK-së ka thënë se raporti i DASH-it në mënyrë të hapur ka përmendur mungesën e transparencës dhe kërcënimeve, protagonistët e të cilave kryesisht janë vetë njerëzit e pushtetit, andaj ai është shprehur i indinjuar, sepse kjo po i vë në vështirës mediat dhe gazetarët gjatë raportimit të drejtë.
“Kjo është e papranueshme për një shoqëri të lirë e demokratike’’.
‘’Mendësia e kërcënimit të mediave nga qeveritarët, nuk ka të bëjë asgjë as me traditën tonë politike, as me mënyrën tonë të kooperimit dhe as me aspiratat për të cilat qëndrojmë politikisht”, ka shkruar lideri i opozitës, Memli Krasniqi.
Raporti i DASH-it: Gazetarët përmbahen nga raportimi hulumtues për shkak të pasigurisë