Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një personi i cili dyshohet se e ka dhunuar një vajzë të mitur.
Sipas prokurorisë, i pandehuri me inicialet E.N, “me përdorim të forcës e detyron personin tjetër të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj, të dëmtuarën e cila është e mitur”.
Prokuroria, më tej, ka dhënë detaje të tjera për ditën kur ka ndodhur rasti.
“Pasi paraprakisht kishin biseduar përmes rrjeteve sociale, takohen, dhe i pandehuri me automjetin e tij e merr të dëmtuarën dhe e dërgon te një parking, fillon ta prekë dhe ta puthë, e më pas e godet me shuplakë dhe me përdorim të forcës e pa pëlqimin e saj kryen marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën, derisa e njëjta arrin që të dalë nga automjeti dhe të paraqetë rastin në polici”, thotë njoftimi.