Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, bashkë me një ekip të policisë, të mërkurën kanë marrë pjesë në konferencën vjetore të shefave të policive, e cila organizohet nga Europol dhe presidenca çeke e BE-së
Konventa e shefave të policive po mbahet në selinë e Europol-it në Hagë.
Në këtë konferencë, Hoti ka zhvilluar disa takime me zyrtarë të Europolit, si dhe me zyrtarë të vendeve fqinje.
“Gjatë rrjedhës së kësaj konvente ud/drejtori i përgjithshëm i PK-së, z. Hoti, ka zhvilluar edhe disa takime bilaterale mjaft të rëndësishme si me zëvendësdrejtorin ekzekutiv për operacione të Europol-it z.Jean -Philippe Lecouffe, me zëvendësdrejtorin e Policisë shqiptare, z Tonin Vocaj, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Maqedonisë së Veriut z.Sasho Tasevski, drejtorin e Policisë së Kroacisë, z.Nikola Milina, dhe zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të BKA z.Michael Kretchner”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Po ashtu, në njoftim thuhet se në këto takime janë diskutuar tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë, bashkëpunimin policor me vendet e tjera që do të mund të shërbejnë për zhvillimin profesional të organizatave policore.