Shërbimi i transmetimit audio Spotify Technology SA, ka thënë të mërkurën se kishte blerë Kinzen, një firmë që e ka ndihmuar atë të identifikojë përmbajtje të dëmshme në platformë.
Blerja është pjesë e përpjekjeve të Spotify, për t’u marrë me përmbajtje të dëmshme në shërbimin e tij, pas një reagimi të ashpër në fillim të këtij viti mbi “The Joe Rogan Experience”, në të cilën podkasteri u akuzua për përhapjen e dezinformatave rreth COVID-19.
Firma me bazë në Dublin ka punuar me Spotify që nga viti 2020, duke u fokusuar fillimisht në integritetin e përmbajtjeve të lidhura me zgjedhjet në mbarë botën. Që atëherë, përgjegjësia e Kinzen është zgjeruar duke përfshirë shënjestrimin e dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes.
“Kinzen ofron një kombinim mjetesh dhe ekspertize për të na ndihmuar të kuptojmë më mirë përmbajtjen në platformën tonë dhe tendencat e reja të abuzimit,” ka thënë Sarah Hoyle, kreu i besimit dhe sigurisë së Spotify.
Ndërkaq, kushtet e marrëveshjes ende nuk janë zbuluar.
Vlen të theksohet se në fillim të këtij viti, Spotify ka thënë se do të ishte më transparent në mënyrën se si i përcakton përmbajtjet e pranueshme ose të papranueshme. Disa muaj më vonë, pikërisht në qershor, formuan Këshillin Këshillimor të Sigurisë për të informuar mbi përmbajtjet e dëmshme.