Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për RTV Dukagjinin, në mesin e shumë temave, ka folur edhe për mundësinë që së shpejti do t’i liberalizohen vizat shtetit të Kosovës.
Ai e ka quajtur absurditet vonesën e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, duke e vënë theksin që Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.
Tutje, ambasadori gjerman ka thënë se është optimist se vendet skeptike tashmë e kanë ndërruar qëndrimin e tyre për këtë cështje, teksa është shprehur se pret që së shpejti qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm për në Evropë.
“Keni pasur së fundmi edhe zotimin publik nga liderët e Gjermanisë, Francës e Polonisë, në mbështetje të liberalizimit të vizave. Dhe siç e thashë, është një hap i vonuar, është absurd që Kosova është shteti i vetëm në këtë rajon që nuk ka liberalizim të vizave dhe për këtë, jam optimist se edhe në nivel të Evropës, shtetet që ishin skeptike deri tani, kanë qëndruar ndryshuar qëndrimin dhe së shpejti, do të shohim liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë ai.
I pyetur se në rast se vendimi politik merret brenda këtij viti, cili është afati kohor pastaj për heqjen e vizave, Rohde ka thënë se fillimisht do të marrë dy deri në tre muaj kohë.
“Do të marrë 2-3 muaj kohë. Fillimisht do të ketë takime të grupeve punuese, më pas këshilli ministror i BE-së duhet të vendosë, dhe më pas pjesa administrative merr disa javë. Pra, nëse gjithçka shkon pa probleme, në fillim të pranverës së vitit të ardhshëm”, është shprehur Ambasadori Rohde.
Ambasadori i Gjermanisë, ka folur edhe për krizën energjetike e cila pritet të thellohet edhe më tej në stinën e dimrit, duke thënë se Kosova dhe vendet e rajonit mund të marrin ndihma në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Kancelari ka ftuar liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor më 3 tetor në Berlin, për të diskutuar tregun e përbashkët rajonal dhe progresin tutje. Para kësaj, do të ketë disa takime ndërministrore. Një prej tyre është ai me Ministrat për energji. Ministri jonë për energji, Habeck, ka ftuar të gjithë ministrat e rajonit, dhe kjo do të jetë pikërisht një prej temave që do të diskutohet se si mund të ofrojmë përgjigje të përbashkëta adekuate për sfidat me energjinë. Pasi besoj se të bashkuar jemi më të fortë, në veçanti, kur kemi të bëjmë me politikën ruse me lojën e zjarrit, lidhur me furnizimin me energji”, ka thënë Rohde.
Tutje, ai ka thënë se Procesi i Berlinit është angazhim personal i Kancelarit Olaff Scholz, i cili është duke tentuar për ta afruar Ballkanin në Bashkimin Evropian.
Rohde u shpreh se Procesi i Berlinit është një proces më gjithëpërfshirës se iniciativa e Ballkanit të Hapur. Sipas tij, nëse Procesi i Berlinit do të ketë sukses, çështja e Ballkanit të Hapur nuk do të jetë aq e rëndësishme.
“Do të thosha se kemi një proces plural gjithëpërfshirës që është Procesi i Berlinit, i cili përbëhet nga të gjashtë vendet. Kemi një proces me Open Balkanin, i cili ende nuk është miratuar, pranuar nga të gjitha vendet anëtare. Pra, përgjigja ime për ju do të ishte nëse do të kemi një rezultat të suksesshëm në Procesit e Berlinit, çështja e Ballkanit të Hapur është më pak e rëndësishme”, ka thënë ai.
Rohde e ka ritheksuar qëndrimin e shtetit të Gjermanisë, se Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet, dhe kjo sipas tij, arrihet vetëm përmes dialogut.