Është zbuluar një rast i ri i gripit të shpendëve në fshatin Aliban në qarkun e Vlorës, bëhet e ditur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri.
Përmes një njoftimi për media, kjo ministri ka bërë të ditur se vazhdon monitorimi i kujdesshëm në të gjithë territorin e vendit.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika”, thuhet më tutje në njoftim.
Sipas saj, po vazhdon ende fushata sensibilizuese për informimin e fermerëve mbi evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara.
“Konsumatori shqiptar është e rëndësishme të ndihet i sigurt, se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius”, ka theksuar ministria.
Deri më tani janë raportuar të ngordhura mbi 350 mijë shpendë, ndërsa vatrat e infeksioneve me gripin e shpendëve më herët janë raportuar edhe në qarkun e Durrësit, Dibrës dhe Korçës.