Të mërkurën, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe, duke rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e certifikuar këtë parti për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas PZAP-së, Lista Serbe ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore të nevojshme për aplikim.
Megjithatë, ky vendim ka ngjallur kundërshtime nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e konsideron atë si të gabuar dhe të mbështetur vetëm në aspekte formale, pa marrë parasysh rrethanat dhe faktet.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi, tha se dy përfaqësuesit e VV-së në KQZ nuk do të paraqesin ankesë, por vendimi përfundimtar nëse do të ketë një apelim në Gjykatën Supreme i takon subjektit politik LVV.
“PZAP-ja ka marrë një vendim dhe ne si anëtarë të KQZ-së, dy përfaqësues të VV-së kemi vendosur të mos bëjmë aneks. Por ne nuk e dimë se si do të vendos subjekti. Sepse ajo është çështje që vendos subjekti. Në dy anëtarët e KQZ-së do të votojmë kundër certifikimit të Listës Serbe.
E konsiderojmë që nuk i ka shqyrtuar të gjitha rrethanat. Të gjitha faktet, të gjitha dëshmitë, por është mbështet vetëm në një pjesë formale.
Ne nuk do të paraqesim ankesë. Por nuk e dimë nëse VV-ja do të paraqesë ankesë…”, ka thënë Kurteshi në një linjë direkte në FIVE të Dukagjinit.
Në ndërkohë, të enjten, mbledhja e KQZ-së dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi anëtarët nga radhët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë.
Në rend të ditës për shqyrtim mes tjerash ishte njoftimi për afatin e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.
“Mbledhja e KQZ-së dështoi sepse nuk kishte kuorum, nuk erdhën përfaqësuesit e partive opozitare. Përveç dy anëtarëve ose tri të cilët kishin paralajmëruar që nuk mund të vijnë për arsye të ndryshme. Të tjerët nuk erdhën, pa ndonjë paralajmërim.
Kurse pse duhet të shtyhet afati? Kjo është një çështje që po varet edhe nga klikimet. Ka tash një tempo të rritur të regjistrimit të mërgimtarëve edhe ne kemi kërkuar që të shihet plani operativ, do të thotë cilat janë mundësit, pa e penguar procesin e zgjedhjeve që të shtyhet afat, nëse është e mundur, për një kohë të caktuar. Jo gjatë. Dhe kemi marrë atë verifikimin që ka sekretariati i KQZ=së, ku kanë konstatuar se mund të shtyhet afat deri më 29 dhjetor, deri të dielën. Mirëpo ky vendim nuk është marrë nga KQZ-ja sepse nuk kishte kuorum”, ka shtuar Kurteshi.