“Pas zgjedhjeve të fundit në Serbi, ku një regjim autokratik ka shpërfaqur mungesën e stabilitetit brenda vendit, ka një mundësi për një sulm nga Serbia, i cili mund të përdorë metoda të ndryshme, duke përfshirë sulme kibernetike dhe operacione hibride”.
Kështu ka vlerësuar Seb Bytyçi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili, gjithashtu, ka theksuar nevojën për të marrë seriozisht kërcënimet e mundshme dhe ka theksuar se Kosova ka të drejtë të bëjë thirrje për mbrojtje ndaj tyre.
“Mund të thuhet që ka një rrezik për destabilizim, nëse ka pasur një dilemë deri më tash, mendoj se me zgjedhjet e fundit në Serbi u hoqën të gjitha dilemat që kemi të bëjmë me një regjim autokratik në Serbi, i cili për shkak të deficiteve të veta demokratike të brendshme shkakton jostabilitet në rajon, me qëllim të rritjes së agjendës të regjimit atje, të udhëhequr nga presidenti Vuçiq”, ka deklaruar ai për emisionin FIVE.
Sipas tij, mund të pritet një sulm nga Serbia duke u kamufluar në metoda të ndryshme ose sulme kibernetike, apo operacione të natyrës hibride, që e rrezikojnë sigurinë.
“Kemi të bëjmë me një përpjekje për jostabilitet kronik, për të shkaktuar një josabilitet kronik, për të dëshmuar që Kosova nuk e kontrollon veriun dhe për ta arsyetuar de-facto ndarjen e Kosovës dhe futjen e forcave serbe në atë pjesë”, ka deklaruar mes të tjerash Bytyçi.
Po ashtu, Fatmir Çollaku, njohës i sigurisë, ka folur për ndryshimet thelbësore pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, dhe ka theksuar se kjo ngjarje ka çuar në zgjimin e komunitetit ndërkombëtar dhe të NATO-s.
“Gjithçka ka ndryshuar nga 24 shtatori, si në planin ndërkombëtar edhe në planin e brendshëm nga aspekti i gatishmërisë dhe mobilizimit të strukturave të sigurisë, si dhe menaxhimi i operacioneve. Ky sulm ka pasur refleksione të mëdha në dy dimensione, Evropa edhe NATO dhe të gjithë u zgjuan nga gjumi, sepse bëhej fjalë vërtet për seriozitet të lartë të kërcënimit të sigurisë”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se mund të ketë operacione nga grupet e organizuara, duke përdorur informacione inteligjente nga shërbimet sekrete serbe, me qëllim të destabilizimit të Kosovës.
“Operacionet e mundshme që mund të pasojnë në grupe të organizuar mirë në numër me dhjetëra jo më shumë, ato mund të përcjellën edhe me informacione inteligjente nga shërbimi sekret serb, të cilët janë gjithnjë në përpjekje për ta destabilizuar Kosovën. Nuk përjashtohet mundësia që ato të mos vijnë më nga veriu, mund të vijnë edhe nga lindja”, ka deklaruar Fatmir Çollaku, njohës i sigurisë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se ruajtja e një mjedisi paqësor dhe të sigurt në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.
Në një fjalim për fundvit të publikuar në rrjetin social X, shefi i aleancës ushtarake ka theksuar se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten.