Projektligji për kodin civil ka dështuar kalimin nga Kuvendi i Kosovës, pasi disa deputetë të partisë në pushtet nuk votuan pro.
Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë, beson se kësaj radhe ky projektligj do të kalojë. Në emisionin Context, në ATV, Haxhiu ka thënë se është folur me deputetët që janë kundër, dhe se është obligim të votohet pro kësaj nisme.
“Megjithatë ne gjatë kësaj kohe kemi qenë në diskutime me Grupin Parlamentar, me deputetët të cilët kanë pasur mendime të ndryshme nga atë që e përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje por unë jam optimiste që kësaj radhe, gjegjësisht brenda këtij viti në momentin kur do ta procedojmë në Qeveri dhe në Kuvend, nuk do të dështojë sikurse herën e kaluar. Përndryshe për Republikën e Kosovës do të ishte e papranueshme sidomos në prag të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Unë e kam theksuar, ne presim ekspertët nga Këshilli i Evropës që të vijnë brenda këtij viti në Kosovë për të bërë vlerësimet e tyre në raport me të drejtat e njeriut, prandaj do të ishte lajm pozitiv që të kalojë edhe Kodi Civil.” – ka thënë Haxhiu.
Pas kësaj deklarate të ministres Haxhiu, Eman Rrahmani, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, rikonfirmoi qëndrimin e tij kundër kodit civil.
Ai në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka publikuar një pjesë të shkëputur nga një intervistë e tij, dhe ka shkruar se nuk ka votë për kodin civil.
“Nuk kam asnjëherë votë PËR shkatërrimin e familjes, ne do të jemi gjithmonë aktiv në mbrojtjen e saj. Ky është deklarimi im rreth mundësisë së votimit të kodit Civil në Kuvendin e Kosovë”, ka shkruar Rrahmani.
E në “mbështetje” të Rrahmanit po del të jetë edhe kolegu i tij deputet nga e njëjta parti, Visar Korenica.
Ai ka reaguar duke thënë se qëndrimi i tij është i njëjtë.
“Më duhet të reagoj ndaj tekstit të vënë në thonjëza ‘zbutet’ nga kanal10. Kjo ska të bëjë fare me atë çfarë kam deklaru. Qëndrimi im është i njejt, dhe sa i përket Kodit Civil nuk kam përgjigje të re në pyetje të vjetër përderisa është përmbajtja e njejtë. Çdo projektligj që vie në Kuvend dhe që nuk është në harmoni me ligjin në fuqi sa i përket martesës nuk do ta ketë përkrahjen time”, ka shkruar Korenica.