Pas raportimit të gazetës serbe “Nova”, se në takimin e radhës në Bruksel, midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të nënshkruhet një marrëveshje e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur, zëdhënësi kryesor i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka thënë se nuk mund t’i komentojë spekulimet e tilla.
Sipas gazetës Nova, nënshkrimi i kësaj deklarate pritet të jetë në rendin e ditës në Bruksel dhe konsiderohet si hap i madh në marrëdhëniet mes dyja palëve.
“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë spekulime në media dhe nuk paraprijmë takimet që organizojmë me spekulime për një rezultat të mundshëm”, ka thënë Stano për Portali Dukagjini.
Stano, lidhur me detajet dhe agjendën e takimit, ka thënë se do të publikohen në ditët në vijim.
“Lidhur me takimin e nivelit të lartë të Dialogut me Presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në Bruksel më 18 gusht, do të publikojmë më shumë detaje rreth tij, përfshirë agjendën, më afër datës kur do të zhvillohet”, shtoi ai.
Sipas burimeve të “Nova-s”, në takimin Kurti-Vuçiq, do të nënshkruhet një marrëveshje e re në mes Kosovës dhe Serbisë.
E njëjta pritet të lidhet me zgjidhjen e çëshjtes së të pagjeturve dhe të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.
“Sipas informacioneve tona, teksti i deklaratës është rënë dakord në masë të mirë dhe pritet momenti për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje”, shkruan gazeta serbe.
Deklarata e Lajçak
Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, më 19 korrik, kishte thënë se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së marrëveshjes për të pagjeturit.
“Më logjike e me e dukshme do të ishte një rezultat pozitiv i takimit, marrëveshja për personat e zhdukur, sepse kjo është një çështje aq e dhimbshme, po aq e dhimbshme për familjarët e personave të zhdukur në Kosovë e në Serbi”.
“Ne jemi duke punuar për këtë në veçanti. Ne jemi dy fjalë afër OSE dy fjalë larg marrëveshjes dhe ne do të kemi konsultime për këtë edhe në ditët në vijim. 99.5% e tekstit është dakorduar dhe tani duhet vetëm vullnet politik”.
Pohimi i Kurtit
Kryeministri Kurti e kishte pohuar deklaratën e Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, cili kishte thënë se “jemi dy apo tri fjalë larg marrëveshjes për të pagjeturit”.
“Besoj që është pak përceptimi se sa jemi afër ose larg. Është e vërtetë që nuk jemi shumë larg, por në të njëjtën kohë mbase është një çikë e nxituar nëse themi se jemi tepër afër, meqë përvoja e hidhur me Beogradin na bën të kujdesshëm që të jemi me shumë shpresë”, ka thënë Kurti.
Ai kishte thënë se janë disa çështje që kanë ngelur pa dakordim.
“Unë do ta kisha theksuar një dallim kryesor që ekziston sa i përket emërtimit të personave të zhdukur gjatë luftës. Beogradi insiston të quhen vetëm persona të pagjetur, ndërkohë që ne insistojmë që të theksohet se kjo është bërë me forcë, me dhunë, sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore të llojit të vërshimeve, zjarreve apo tërmeteve. Ne kemi familjarë që e dinë se personi i caktuar ua mori djalin ose vajzën, babain ose nënën, burrin, motrën, kushëririn, shokun, shoqen”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, bëhet fjalë për kidnapime, rrëmbime që janë bërë me dhunë.
“Insistimi ynë që të theksohet kjo gjë. Natyrisht që janë persona të pagjetur, por nuk mund t’i fusim në të njëjtën kategori me ata që janë zhdukur në pyll, ku kanë shkuar për hiking sepse kanë përjetuar fakteqësi apo aksident, me rrëmbimet që janë krime të kryera gjatë luftës, që janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe mund të konsiderohen edhe pjesë e gjenocidit”, shtoi Kurti.
Ndryshe, pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona kanë qenë të zhdukur.
Ndonëse janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve, mbi një mijë e 600 persona ende janë të zhdukur.