Ministri i Financave, Hekuran Murati, është deklaruar nëse do të ndalen pagat e grevistëve për këtë muaj.
Ai në një konferencë për media, ka thënë se për këtë do të bazohen në listat e dorëzuara gjatë muajit shtator.
“Ne çfarë kemi thënë është se Ligji për grevat e parasheh se në momentin kur shpallet greva, pezullohen marrëdhëniet kontraktuale në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ne kemi kërkuar nga komunat që këtë ta zbatojnë. Muajin e kaluar, komunat janë arsyetuar se nuk kanë mundur t’i përditësojnë listat, kurse tani ka qenë mundësia që listat të dorëzohen më 10 shtator”, është shprehur ai.
Ai ka sqaruar se për të gjitha vendimet do të bazohen në legjislacionin në fuqi, që sipas tij kërkon që të bëhet auditimi i veçantë për këto çështje dhe të shihet nëse ka pasur mashtrim, deklarim të rremë në listat e pagave dhe është dëmtuar buxheti.
“Do të shohim se si janë deklaruar ato dhe në varësi të paraqitjes së gjendjes faktike nga ana e komunave do të procedojmë me hapat që parasheh legjislacioni në fuqi”, shtoi ai.
Kjo, sipas tij, nuk është as vendim e as dëshirë e qeverisë.
“Dëshirë e jona do të ishte që fëmijët të kthehen në mësim, mësimdhënësit të vazhdojnë shkollimin duke e ditur se e kanë mbështetjen e qeverisë”.
Sa i përket mbështetjes për përballjen me inflacionin, kërkesa për çështjen e shëndetësisë dhe kërkesa e tretë për ligjin për pensionet e paguara nga shteti, për të gjitha këto Murati ka thënë se qeveria ka treguar në vazhdimësi përkushtim “por edhe ofertë e rezultate konkrete”.
Sipas tij, të gjithë do të duhej të lëviznin nga pozicionet, në mënyrë që të mos pësojnë ata që kanë nevojë për mësim.
“Arsimimi është në interes tonin, dhe të gjithë e dimë që rezultatet e dobëta që kemi po na kushtojnë, e për më tepër humbja e vazhdueshme e orëve mësimore vetëm sa e përkeqëson situatën”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, në këtë konferencë ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka theksuar se vullnet kishte nga të dyja palët për ndërprerjen e grevës.
“Nuk është që nuk ka pasur vullnet nga Qeveria, takimi tregon se ka pasur vullnet nga të dyja palët”, është shprehur ministrja Nagavci.
Kur pyetet për zëvendësimin e orëve të humbura, ajo ka thënë se kjo çështje do të shqyrtohet gjatë muajve në vijim.
Kurti për sindikatat: Janë sjellë me mua sikurse buxheti të jetë pronë e imja