A do të ulet çmimi tavan për naftën ruse?

Për avokuesit e sanksioneve në Perëndim, rënia e madhe e vlerës së rublës gjatë këtij viti është një sinjal i qartë se ndëshkimet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, po kanë ndikim

Një objekt pranë pikës fillestare të tubacionit të gazit natyror në det të hapur Nord Stream 2.

Për avokuesit e sanksioneve në Perëndim, rënia e madhe e vlerës së rublës gjatë këtij viti është një sinjal i qartë se ndëshkimet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, po kanë ndikim.

Ata thanë se Grupi i Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) duhet të godasë derisa hekuri është i nxehtë dhe të ulë çmimin tavan të eksporteve të naftës të papërpunuar ruse, që tani është 60 dollarë. Qëllimi: Të shtrëngohen të ardhurat e Kremlinit dhe të detyrohet presidenti rus, Vladimir Putin, që të zgjedhë midis stabilitetit ekonomik dhe shpenzimeve ushtarake.

Banka Qendrore ruse rriti normat e interesit në një shifër jashtëzakonisht të lartë prej 3.5 pikë të përqindjes. Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme më herët gjatë këtij muaji, pasi vlera e rublës ra nën një cent amerikan. Vlera e rublës ruse ka rënë për 30 për qind që nga fillimi i vitit, përderisa luftës në Ukrainë nuk po i shihet fundi.

“Rusisë i duhet që të rrisë jashtëzakonisht shumë normat e interesit për ta stabilizuar rublën. Ne kemi fuqinë që t’i japim Putinit krizën financiare që ai e meriton. Ne na duhet që ulim çmimin tavan të G7-s”, shkroi më 15 gusht Robin Brooks, i cili është shef i ekonomistëve në Institutin për Financa Ndërkombëtare me seli në Uashington.

Aleksandra Prokopenko, ish-analiste e Bankës Qendrore ruse, mbështeti këtë mendim, duke argumentuar se sanksionet po funksionojnë dhe ulja e çmimit që Moska merr për naftën – burimin kryesor të të ardhurave – do ta vendosë ekonominë e Putinit në një pozitë të vështirë.

Vendosmëria e presidentit rus për të vazhduar me çdo kusht me pushtimin e dështuar të Ukrainës “po e vë ekonominë në një pozitë gjithnjë e më të paqëndrueshme”, tha Prokopenko, e cila tani është studiuese jorezidente në Qendrën Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë, institut me seli në Berlin.

Për ta futur edhe më në krizë ekonominë ruse, “Perëndimi duhet të vazhdojë që të godasë burimet e të ardhurave të Kremlinit, përfshirë edhe duke ulur çmimin tavan për naftën, por edhe masa të ngjashme për eksportet e tjera ruse dhe të mbyllë zbrazëtirat ligjore që kanë sanksionet”, shkroi ajo në një opinion të publikuar në Bloomberg më 17 gusht.

Por, disa analistë të naftës argumentuan se kjo nuk mund të ndodhë kaq shpejt.

Analistët në këtë industri kanë paralajmëruar se ulja e çmimit tavan të G7-s vetëm do të thellojë shqetësimet për furnizimet globale të naftës në një kohë kur ka një kërkesë rekorde për këtë derivat. Sipas tyre, kjo do të bënte që çmimi i naftës së papërpunuar të rritej dhe nga kjo do të pësonin shumë shtete, e ndoshta të ardhurat ruse nuk do të prekeshin aq shumë.

“Nëse nesër G7 vjen dhe thotë se çmimi tavan tani do të jetë 50 dollarë, ju me shumë gjasa do të shihni rritje të mëtejme të çmimit të naftës. Reagimi i menjëhershëm ndaj sanksioneve më të ashpra është gjithmonë rritja e çmimit të naftës për shkak të frikës se do të ketë pengesa në furnizim”, tha për Radion Evropa e Lirë, Jorge Leon, analist në Rystad Energy, me seli në Oslo.

“Mendoj se është në interesin më të mirë të G7-s që të mos ndërmarrë një vendim të tillë”, tha ai.

Këtë shqetësim e ndajnë edhe shumë prej liderëve të G7-s të cilët nuk duan të shohin rritje të çmimeve të energjisë, pasi ata po përballen me inflacionin më të lartë në dekada, thanë ekspertët. Rritja e kostos së jetesës gjerësisht vlerësohet si një prej kërcënimeve më të mëdha të mundshme për kandidaturën e rizgjedhjes në postin e presidentit të SHBA-së për Joe Biden. Zgjedhjet amerikane do të mbahen vitin e ardhshëm.

Debati mbi efektivitetin e çmimit tavan ka vazhduar edhe para se kjo masë të vendosej në dhjetorin e vitit të kaluar. Tetë muaj më vonë, ende nuk ka konsensus se sa mirë po funksionin ky vendim.

Kjo, për shkak se çmimi që Rusia në fund merr për naftën e saj ndikohet po ashtu edhe nga një embargo për dërgesat përmes detit në Perëndim dhe shkurtimet e prodhimit nga OPEC+, ku bën pjesë Rusia dhe disa shtete që nuk janë anëtarë të Organizatës së Shteteve Eksportuese të Naftës (OPEC).

Kur çmimi tavan për naftën hyri në fuqi, së bashku me embargon për naftën e papërpunuar, nafta ruse nga Uralet veçse po tregtohej nën 60 dollarë për fuçi dhe nafta e papërpunuar Brent – e standardit evropian – veçse kishte një çmim më të ulët.

G7 kishte për synim të kufizonte të ardhurat ruse, por dhe në të njëjtën kohë edhe që nafta ruse të vazhdonte të arrinte në tregjet globale. Grupi refuzoi thirrjet për rritjen e çmimit tavan nga 30 në 40 dollarë, nga frika se Rusia do të ndërpriste eksportet, potencialisht duke shkaktuar trazira ekonomike në nivel global. Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe në botë e naftës, pas Arabisë Saudite.

Politika e çmimit tavan ua ndalon ndërmjetësve perëndimorë, sikurse janë kompanitë transportuese dhe ato që ofrojnë shërbime të sigurimit, që t’i ofrojnë shërbimet e tyre nëse nafta e papërpunuar ruse shitet mbi 60 dollarë për fuçi. Ndërmjetësuesit perëndimorë tradicionalisht dominojnë industri të tilla, prandaj këto kufizime ndaj tyre izolojnë Rusinë.

Për të tejkaluar kufizimet, Rusia ka tentuar që të krijojë infrastruktura paralele, duke marrë qindra cisterna të vjetra dhe duke ndarë 9 miliardë dollarë për sigurimin e anijeve. Po ashtu, Moska ka fshehur çmimet e vërteta që merr për të rritur kostot e transportit, thanë ekspertët.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, muajin e kaluar nafta e papërpunuar ruse mesatarisht kushtonte 64.31 dollarë, duke tejkaluar kështu çmimin tavan të vendosur për naftën dhe duke rritur të ardhurat e Rusisë nga eksporti i naftës në nivelin më të lartë në tetë muaj. Nafta ruse vazhdon të jetë më e lirë se nafta Brent, por diferenca është ngushtuar nga 35 dollarë në rreth 10, një tjetër tregues se çmimi tavan po humb fuqinë e tij.

Ben Cahill, ekspert për energjinë në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike, me seli në Uashington, tha se ndikimi i sanksioneve ka tendencë të dobësohet me kalimin e kohës, pasi individët e zhdërvjelltë gjejnë mënyra për t’i shmangur ato.

“Historia me sanksionet e energjisë në 10-15 vitet e fundit është se tregu bëhet mjaft i zgjuar për t’i shmangur ato. Dhe sa më gjatë të jenë në fuqi, aq më shumë shmangie shohim, veçanërisht kur tregu është i ngushtë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Nënsekretari amerikan i Thesarit, Wally Adeyemo, tha në qershor – para rritjes së fundit të çmimit global të naftës – se çmimi tavan po funksiononte. Paratë që Rusia ndau për sigurimin e anijeve, tha ai, janë para që Kremlini nuk mund t’i përdorë “për të investuar në tanke dhe armë të tjera në luftën e tij të paligjshme në Ukrainë”.

Ekspertët në Institutin Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare raportuan në korrik se çmimi tavan kishte më pak ndikim në të ardhurat ruse nga eksportet e naftës sesa embargoja, duke thënë se tavani prej 60 dollarësh është shumë i lartë që të ketë efekt dhe zbatimi i këtij vendimi po mungon.

Embargoja evropiane për naftën e papërpunuar ruse që transportohet përmes detit ka detyruar Moskën që të transportojë ngarkesat nga portet në Detin Baltik dhe Detin e Zi për në Kinë dhe Indi me një çmim shumë të lirë.

“Embargoja e BE-së ka ulur çmimet aq shumë sa që e bëjnë nivelin prej 60 dollarësh për fuçi të çmimit tavan shumë të parëndësishëm”, thanë ekspertët e Institutit Peterson.

Por, ekspertët thanë se me uljen e mëtejme të çmimit tavan nuk mund të arrihet edhe aq shumë.

“Ka shumë zëra që po kërkojnë tani uljen e çmimit tavan, duke thënë se kjo politikë po funksionon mirë dhe ne duhet të ulim çmimin tavan për t’i bërë më shumë presion Rusisë”, tha Cahill. “Por, sa më të ulët që e vendos çmimin tavan, aq më shumë evazion do të ketë”.

Ai tha se me një zbritje prej 20 dollarësh për naftën Brent, do të kishte më shumë nxitje që sanksionet të zbatoheshin më mirë.

“Mendoj se zbatimi bëhet shumë, shumë i vështirë nëse shkoni me më pak se 60 dollarë për fuçi, veçanërisht nëse çmimet globale të naftës rriten”, ka theksuar ai.

Craig Kennedy, ekspert i industrisë së naftës ruse dhe bashkëpunëtor në Qendrën Davis të Universitetit të Harvardit, ka deklaruar se fuqia e çmimit tavan të G7-s “po testohet” përderisa çmimet e naftës ruse kanë tejkaluar shifrën prej 60 dollarësh dhe nëse nuk merren së shpejti masa për zbatimin e sanksioneve, do të dihet efekti i vërtetë i kësaj politike.

Ai sugjeroi që G7 dhe Bashkimi Evropian të krijojnë një “listë të bardhë” të tregtarëve dhe ndërmjetësve të autorizuar për të ofruar informacione mbi çmimet, në mënyrë që të reduktohet evazioni rus. Sipas propozimit të tij, cisternat në pronësi ose që sigurohen nga G7, duhet të marrin një vërtetim të çmimit nga një tregtar që gjendet në këtë listë në mënyrë që të transportojë naftën ruse.

Ai po ashtu sugjeroi që BE-ja dhe G7 – ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Japonia, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia – të ndalojnë kompanitë e tyre që të shesin cisterna te blerësit rusë apo blerësit që nuk zbulojnë identitetin e tyre.

Se çfarë do të ndodhë me çmimet e naftës ruse do të varet gjithashtu në masë të madhe edhe nga Arabia Saudite dhe blerësit aziatikë, tha Chris Weafer, ekspert për energjinë dhe themelues i Macro-Advisory, një firmë konsulence që fokusohet në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.

“Mënyra e vetme që çmimi aktual tavan, apo një çmim tavan më i ulët, do të funksiononte është nëse Arabia Saudite do të rriste prodhimin ose nëse blerësit aziatikë do të refuzonin të paguanin më shumë sesa vlera e çmimit tavan”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Është e paqartë nëse ndonjëra prej tyre do të ndodhë. Me përjashtim të Japonisë, shtetet aziatike nuk i nënshtrohen çmimit tavan të vendosur nga Grupi i Shtatë shteteve më të industrializuara.

Arabia Saudite uli prodhimin me 1 milion fuçi në ditë në korrik me qëllim që të mbështesë çmimet, duke ndihmuar në rritjen e çmimit të naftës së papërtuar ruse përtej tavanit të vendosur, dhe më pas zgjati periudhën e uljes së prodhimit deri në muajin shtator. Administrata amerikane e udhëhequr nga Bideni i kishte bërë presion Arabisë Saudite që të mbante prodhimin e lartë, për të ndihmuar në uljen e inflacionit global.

“Për aq kohë sa blerësit në Kinë, Indi dhe shtete të tjera në Azi marrin naftë me çmim të lirë, ata nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga nafta e lirë ruse, duke kërkuar një zbritje edhe më të madhe për ta me uljen e çmimit nën tavanin e caktuar”, ka theksuar Weafer./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika