A duhet fajësuar Beogradi për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet në Veri?

Të martën e 15 nëntorit, Lista Serbe kishte njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në katër komunat e veriut të Kosovës. Kjo deklaratë gjeti zbatim nga ana e saj por njëherit, ngriti pyetje lidhur me ndikim dhe legjitimitetin e procesit të zgjedhjeve në veri të vendit

Lista Serbe





Subjekti politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe nuk bën pjesë në mesin e gjashtë subjekteve politike në zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të vendit. Se si po shihet ky vendim i Listës Serbe, Portali Dukagjini ka kontaktuar me njohës të fushës.

Ndonëse pati një afat shtesë, Lista Serbe nuk aplikoi për regjistrim në zgjedhjet komunale në komunat veriore të Kosovës. Një veprim i tillë i Listës Serbe po cilësohet sikur një veprim i ndikuar nga Beogradi zyrtar.

Për Drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e organizuara nga Republika e Kosovës dëshmon se kjo parti më të rëndësishme e ka mbrojtjen dhe promovimin e interesave të grupeve kriminale në veri sesa interesin e serbëve lokal.

“Mospjesëmarrja e Listes Serbe në zgjedhjet e organizuara nga Republika e Kosovës, është dëshmi shtesë se kjo parti politike më të rëndësishme e ka mbrojtjen dhe promovimin e interesave të grupeve kriminale në veri se sa interesin e serbëve lokal në veriun e Republikës”, ka thënë Miftaraj gjersa ka theksuar se një reagim i partnerëve ndërkombëtar është i domosdoshëm pasi këto veprime i ka cilësuar si veprime që bëhen me bekimin e Beogradit.

I pyetur se a do të jenë legjitime këto zgjedhje, Miftaraj ka thënë se mund të konsiderohen legjitime nëse marrin pjesë 30 ose 50 për qind e qytetarëve në to.

“Varësisht, sa do të jete përqindja e votuesve në veri mund edhe të vlerësohet legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve. Nëse në këto zgjedhje marrin pjesë mbi 30 ose 35% e qytetarëve mund të konsiderohen legjitime”, ka bërë të ditur Miftaraj.

Se a është ky vendim i listës serbe një dëmtim i legjitimitetit dhe dëmtim i demokracisë, Portali Dukagjini ka kontaktuar edhe me profesorin, Milazim Krasniqi.

Krasniqi ka vlerësuar se zgjedhjet në veri asnjëherë nuk kanë qenë plotësisht legjitime dhe kjo sepse Lista Serbe ka ushtruar presion e dhunë mbi votuesit.

“Bojkotimi nga Lista Serbe faktikisht pamundëson mbajtjen e rregullt e zgjedhjeve dhe konsteston edhe legjitimitetin e tyre, pasi ajo është forca dominuese në ato komuna. Prandaj, tash pas deeskalimit, do të duhej të shihej mundësia ligjore e kthimit të kryetarëve të komunave në detyrë, nëse ka hapësira ligjore”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se krahas rrezikut për djegien e veturave në veri të vendit, vetura me targa RKS, ekziston rreziku që edhe vendvotimet por edhe persona zyrtarë të jenë të ekspozuar ndaj formave të dhunës.

“Nëse nuk ka, atëherë duhet dialog politik që të arrihet pjesëmarrja e të gjitha forcave politike, për të mos pasur një destabilizim tjetër, këtë herë shkaku i procesit zgjedhor. Nëse veturat e regjistruara me RKS digjen në veri, ka rrezik që edhe vendvotimet ose edhe personat zyrtarë t’i ekspozohen ndonjë dhune. Mbas këtij kompromisit të fundit që ka bërë qeveria Kurti, pasi u acarua me SHBA-në e BE-n, triumfalizmi në radhët e Listër Serbe duket se është shtuar e ka rrezik që kjo e shton edhe agresivitetin e tyre politik në terren”, ka thënë Krasniqi.

Profesori Milazim Krasniqi bënë një krahasim interesant kur flitet për legjitimitetin e zgjedhjeve në veri. Krahas kësaj, ai tregon edhe një “kohë potenciale” se kur do të mund të kishte, siç i quan ai, “zgjedhje normale” në komunat veriore.

“Realisht zgjedhjet në veri asnjë herë deri tash nuk kanë qenë plotësisht legjitime, sepse Lista Serbe ka ushtruar presion e dhunë mbi votuesit. Fatkeqesisht shteti ynë nuk ka pasur fuqi të ndërpresë këtë lloj mujshariue politike. KQZ është shjellë si pulë e lagur në raport me Listën Serbe. Fatkeqësisht as faktorët ndërkombëtar nuk i kanë kushtuar ndonjë vëmendje. Pra as zgjedhjet e radhes, nëse mbahen, nuk do të jenë plotësisht legjitime e as demokratike. Pa u arritur një marrëveshje politike obligative me Serbinë dhe një shkallë solide e rintegrimi i serbëve të veriut, kurrë zgjedhje normale nuk mund të ketë  në komunat veriore, sepse atje zgjedhjet i organizon Kosova, por i dirigjon Serbia”, ka thënë Krasniqi.

Se Beogradi është problemi i mospjesëmarrjes së Listës Serbe në Veri nuk e mohon as analisti, Gazmir Raci.

“Unë mendoj që këtu është problem Beogradi, në qoftë se Beogradi e heq presionin ndaj qytetarëve serb në Veri atëherë aty mund të fitojnë edhe partitë e tjera. Por, përderisa ata janë në një presion nga Beogradi zyrtar serbët e veriut e kanë shumë problem me u integru”, ka thënë Raci.

Ai ka theksuar se ajo çka është e rëndësishme në këtë faze, është qëndrimi i Beogradit zyrtar. Por, pas marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave, Raci thotë se tashmë, Lista Serbe do duhej të merrte pjesë në zgjedhje.

“Unë besoj që duhet me marre pjesë pas marrëveshjes së fundit në Bruksel për targat , është marrë vesh me marrë pjesë të gjitha partitë politike jo vetëm Lista Serbe dhe me qeverisë ajo që është më demokratike. Përndryshe asnjë parti ska si të qeverisë pa zgjedhje”, ka përfunduar Raci.

Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit në veri

Më 23 nëntor, Kryediplomati evropian, Josep Borell ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave.

“Ne kemi nje marrëveshje! Me kënaqësi të njoftoj se kryenegociatorët e #Kosovës dhe #Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqëndruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, ka shkruar Borrell.

Borrell ka bërë të ditur se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për çështjen e targave





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika