Eutanazia, e njohur ndryshe si “vdekja e mëshirshme”, mbetet një temë e cila nuk gëzon një ligj në Kosovë.
Si fillim, është e rëndësishme të sqarohet se çka nënkupton ky koncept. Euthanasia, e njohur ndryshe si “vdekja e mirë”, është një ndërhyrje e qëllimshme, e ndërmarrë me qëllimin e përfundimit të jetës së pacientit, i cili vuan nga një sëmundje e dhimbshme e pashërueshme. Një vdekje në gjumë, pa dhimbje e pa vuajtje, e prapë se prapë në pikëpyetje ushtrimi I saj.
Një pjesë e konsiderueshme e njerëzimit besojnë që përdorimi i një metode të tillë dhimbje-shuarse, përmes një injeksioni, është mënyra më humane e përfundimit të jetës.
Belgjika është një ndër vendet më liberale në përdorimin e saj. Gjithashtu, vende si Zvicra, Luksemburgu, Holanda e të tjera tashmë e lejojnë një gjë të tillë, por, a duhet të përfshihet Kosova në radhën e këtyre vendeve?
Për këtë të fundit, është e rëndësishme të shihen disa këndvështrime si nga ana ligjore, psikologjike, fetare, ekonomike dhe e fundit, por, jo më pak e rëndësishme, ana individuale.
“Shteti nuk duhet të interferojë në vullnetin e dikujt, por, duhet ta mbështesë atë, sepse liria individuale është ajo për të cilën angazhohet vetë shteti”, ka thënë sociologu, Jeton Brajshori, për RTV Dukagjini.
Ai tutje shton se një temë e tillë vazhdon të mbetet e diskutueshme, si shkak i diferencave që gëzojmë si individë.
Ndërkaq, psikoterapeuti, Yll Avdijaj, thotë se një teme të tillë nuk duhet t’i mohohet një diskutim i hapur, por, gjithmonë në përputhje me të drejtat njerëzore dhe rendin shoqëror të vendit.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në vendime të tilla, se si ato parashtrohen, në mënyrë që një vendim i tillë të mos keqinterpretohet nga masa apo të nxitet si liria për t’ia marrë vetes jetën”, ka thënë Avdijaj për RTV Dukagjini.
Këndvështrimi i shumicës tjetër, është ai që nuk do që një mundësi e tillë të quhet as “opsionale” se lëre më të konsiderohej zgjidhje e lirë. Kemi të bëjmë me fanatikët e ideologjive fetare që besojnë që marrja e jetës i takon vetëm Zotit apo Krijuesit të saj e disa thonë edhe vetë ligjit të natyrës. Përveç tyre, një pjesë tjetër bazohen në tri parimet vijuese.
E para konsiderohet të jetë fondi buxhetor me argumentin faktik, që lejimi i Euthanasia-s po u kursen shteteve miliona dollarë, shembull konkret të jetë Kanada me 138 milionë dollarë të kursyer, e kjo do t’i shuante kërkimet për kurat e sëmundjeve.
Parimi i dytë është ai i plotësimit të kushteve për të ndërmarrë një zgjidhje të tillë, dhe jo, thjesht, kushdo që dëshiron.
Dhe parimi i tretë, megjithëse jo më pak i rëndësishmi, është ai që ngul këmbë që një vendim i tillë nuk i përket vetë individit, por, organeve shtetërore të cilat duhet të vendosin për këtë të fundit.
Për parimin e tretë pajtohet edhe psikoterapeuti i lartcekur, Yll Avdiaj. Ai thotë që ligjvënësit janë ata që vendosin por, gjithmonë, duke marrë parasysh çështjet pozitive dhe negative të saj.
Për një mori tjetër mendimesh, atyre të lirave pa dijeninë faktike të dokumentuar, të ndaluar apo lejuar në botë, janë mendimet e grupmoshave që më shumti kanë “të drejtë dhe arsye” për ta shfrytëzuar si mundësi.
Kur jemi te moshat +60 vjeçare, pjesa më e madhe, për të mos thënë të gjithë, duke lënë anash një përqindje të vogël të atyre që janë pyetur, e konsiderojnë gjënë më të drejtë për t’u bërë, atëherë kur nuk janë më “të zotët e vetës”. Flasim për kohërat e pashmangshme të jetës, ato të dyzinave të medikamenteve, paaftësisë për të ecur, për të folur dhe përfundimit të vetvetishëm të gjërave elementare. Moshat e shtyera konsiderojnë vdekjen, para barrës së kujdesjes që u takon familjarëve.
Ndërsa, po të pyetën grupmoshat e të rriturëve të rinj (+18), pjesa më e madhe thonë se duhet lejuar vetëm në raste ekstreme, e duke shmangur ato nën moshën nënadulte.
Vendet si Belgjika, lejojnë përdorimin e Euthanasia-s nga mosha 14 vjeçare, ndërsa vendet si Holanda, nga mosha 12 vjeçare. Është i njohur rasti i minorit të parë që vdiq nga përdorimi i saj në Belgjikë.
Ajo që mund të arrijmë si përfundim është mesi i artë, ai për të cilin nuk ka mendim të dytë e që është përfundimi i agonisë. Se çfarë do të bëhet në të ardhmen për Eutanazinë në Kosovë, mbetet të shihet.