Bashkëbisedimi me psikologun në studio në kuadër të emisionit “Jeto” me Xheneta Asllanin, këtë javë iu kushtua fillimit të shkollës nga fëmijët që nisin këtë rrugëtim për herën e parë.
I ftuar në studion e Radio Dukagjinit ishte psikologu Florim Gallopeni, i cili fillimisht tregoi se fëmijët zakonisht fillojnë klasën e parë në moshën 6 vjeçare pasi konsiderohet se janë të pjekur mentalisht për t’i kuptuar kërkesat dhe për t’iu përgjigjur atyre, të artikulohen çartë për nevojat dhe qëndrimet e tij, si dhe për t’u përkujdesur për vetën.
Mirëpo sipas psikologut secili prind duhet të sigurohet pavarësisht arritjes së moshës se a ka arritur fëmija i tij t’i përmbushë këto gjëra, t’i kuptojë kërkesat, të artikulojë nevojat e veta, pra pjekurinë mendore të një 6 vjeçari, pasi mosha kronologjike dallon me moshën mendore.
Gallopeni deklaron se fatkeqësisht ka nivele të ndryshme të zhvillimit dhe funksionimit të personave, që nënkupton se një fëmijë i moshës 6 vjeçare mund të ketë një moshë mendore më të madhe, të jetë më i pjekur, por sipas tij ekziston edhe ana e kundërt, që mosha zhvillimore e funksionale të jetë më e vogël se gjashtë.
Caktimi i një moshe mendore apo zhvillimore sipas psikologut nuk mund të bëhet vetëm nga observimi, mirëpo duhet të bëhen vlerësime standarde profesionale, që prindërit të gjykojnë a është i përgatitur fëmiu i tyre për shkollë. Ky vlerësim e ka anën e mirë siç spjegon Gallopeni, që edhe nëse prindi vendosë që ta dërgojë fëmiun në shkollë, i ka informatat e duhura mbi zhvillimin dhe funskionimin e tij që mund t’i transmetojë edhe tek shkolla, që të mundësojë edhe çasjen e duhur dhe ofrimin e zhvillimit të duhur për ngritjen e kapaciteteve të fëmiut.
Kjo sipas Gallopenit nuk vlen vetëm për fëmijët me zhvillim funksional më të ulët, por edhe për ata më të lartë, pasi kurrikula përpilohet për zhvillim mesatar, dhe fëmijët që kanë moshë mendore më të lartë humbin interesimin dhe vlerësojnë se nuk po përfitojnë asgjë nga mësimnxënia, andaj duhet intervenuar që të kenë një eksperiencë më optimale që të mbesin të interesuar për mësim.
Duhet intervenuar edhe tek fëmijet me ngecje, nënvizon psikologu, pasi sipas tij, po nuk e kapën hapin me të tjerët në klasën e parë, ata vazhdimisht do të ndihen të nënvlerësuar, duke u ndjerë gjithmonë mbrapa të tjerëve, gjë që ndikon direkt në nivelin e vetëbesimit të tyre. Gallopeni thekson se në këto raste po ta dinin prindërit nivelin zhvillimor të fëmiut të vet, ndoshta një vendim më i mençur do të ishte që të regjistrohet në shkollë një vit më vonë, pasi gjithmonë më mirë është nëse fëmiu është më i pjekur dhe më i përgatitur, sesa të mos jetë i pjekur mjaftueshëm.