Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, vendosjen e saj në funksionin e ri në qeverinë e Kosovës e ka vlerësuar si lajm të mirë, pasi sipas saj “kjo do të thotë se Milan Radoiçiç nuk do të ketë asnjë ndikim në atë që ndodh, dhe se në këtë mënyrë do të thyhet monopoli i Listës Serbe për promovimin mendor të serbëve”.
Igor Novakoviq mendon se kjo nuk është e sigurt deri në fund, “sepse Nenad Rashiq dhe Rada Trajkoviq janë subjekte politike që kanë marrë shumë pak vota në votime dhe nuk kanë legjitimitet politik”.
“Megjithatë ajo që është e mundur në këtë moment, është një lloj fillimi i ndarjes në kuadrin e vetë bashkësisë serbe në Kosovë, pra që serbët që jetojnë në jug do të pranojnë modalitete të bashkëpunimit me qeverinë e Kurtit, ndërsa serbët në veri do të jenë mbështetës ndaj qëndrimit të qeverisë në Beograd”, ka thënë Novakoviq, shkruan DW.
Trajkoviq, më një dhjetor është emëruar si këshilltare politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Këtë e kishte konfirmuar vetë ministri Rashiq.
“Me të drejtë e kam emëruar sepse ka përvojë dhe njohuri të thellë, dhe jam i sigurt se prej saj mund të mësojë shumë. Trajkoviç do të kontribuojë mjaft shumë për këtë dikaster”, ka thënë ai.
Nenad Rashiq është emëruar ministër për komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Kjo pas dorëheqjes së ish-ministrit, Goran Rakiq. Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot, z. Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovë”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar Rashiq për detyrën dhe përgjegjësitë e reja institucionale në Republikën e Kosovës.
Ndryshe, më 5 nëntor, Lista Serbe vendosi që t’i largojë të gjithë serbët nga institucionet qendrore dhe ato lokale.
Kreu i kësaj partie, Goran Rakiq, pasi shpalli dorëheqjen nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, tha se largimi nga institucionet vjen pas vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Përveç Listës Serbe, dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarët policorë, punonjësit e gjykatave dhe institucioneve të tjera.
Po ashtu, pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre të dielën, të hënën e 7 nëntorit, kanë filluar t’i dorëzojnë armët në nënstacionin policor të Zveçanit.
Dorëzimi i armëve dhe fletëdorëheqjeve, vjen pas përfundimit të protestës së serbëve në sheshin “Car Lazar” të organizuar nga Lista Serbe.
Ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjini që kanë qenë duke raportuar për ngjarjet në veri të vendit, kanë siguruar dokumentin ku shihet dorëheqja e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës.
“Për arsye personale dhe morale, jap dorëheqje nga Policia e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e dorëheqjes.
Po ashtu, përmes një njoftimi, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka pasur dorëheqje të punonjësve të komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës.
Policia e Kosovës, gjithashtu, ka njoftuar se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, dhe se të gjitha veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese.