Ardhja e dronëve “Bayraktar” në Kosovë ishte rezultat i një marrëveshjeje dhe jo një donacioni, ka deklaruar Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.
Në “Debat Plus’ me Ermal Panduri, në RTV Dukagjini, ambasadori Angili nuk ka dhënë shumë detaje rreth ardhjes së dronëve të lartëcekur në Kosovë por megjithatë, i njëjti shprehu pakënaqësitë e imazhit të Turqisë pas ardhjes së dronëve.
“Kryeminstri Kurti veçse ka dhënë një njoftim në media dhe m’duket e ka dhënë përgjigjen. Në këtë postim të tij, ka qenë një intervistë në një gazetë kroat, aty ka dhënë detaje shtesë. Kështu që është një marrëveshje, nuk është një donacion”, ka deklaruar ai.
Ai është shprehur se Turqia është partnere strategjike e Kosovës, përveç në fushën e mbrojtjes ai tha se me Kosovën ka bashkëpunim edhe në sferën ekonomike.
“Në fakt, ne nuk jemi shumë të gëzuar të shihemi më shumë si partnerë mbrojtës të Kosovës. Arsyeja është sepse Kosova është partneri strategjik i Turqisë edhe anasjelltas. Për të qenë një partner strategjik do të thotë të zhvilloni të gjitha fushat, edhe atë të mbrojtjes. Por në Kosovë ne e kemi të zhvilluar, të rëndësishëm edhe bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi investime në sektorë të ndryshëm, në banka, në aeroport, në distribucionin e rrymës, në prodhim dhe kompanitë turke edhe ngrisin punësimin në Kosovë. Investimet në Kosovë janë 10 përqind e investimeve tona në Ballkan. Vitin e kaluar Turqia është bërë partneri numër 1 i Kosovës dhe ne dëshirojmë të kemi bashkëpunim ekonomik e tregtar, kjo është e rëndësishme për ne”.
Se a do të arrijnë dronë të tjerë të këtij lloji në Kosovë, ambasadori Angili ka deklaruar se kjo varet nga nevoja e Kosovës.
“Kjo varet nga nevoja e Kosovës por deri më tani, forcat mbrojtëse të Kosovës janë duke kaluar nëpër bashkëpunime, trajnime dhe kemi disa bashkëpunime me udhëheqësit ushtarakë…këtu po fokusohemi më tepër por nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të fitojë ndonjë paisje shtesë në lidhje me këto nevoja, në lidhje me kornizat e NATO-së, atëherë Turqia dhe shtetet e tjera do iu përgjigjen këtyre nevojave. Deri më tani, nuk ka qenë në agjendën tonë një gjë e tillë.”, ka deklaruar Angili.
Ky i fundit ka adresuar lajmet e rrejshme se Turqia gjoja po përpiqet t’i zë vendin Perëndimit me një veprim të tillë. Ambasadori Angili ka theksuar se Turqia do vetëm të ndihmoj Kosovën në rrugën euroatlanike të saj.
”Së fundmi kam qenë dëshmitar e lajmeve të rrejshme se Turqia po ia zë vendit Perëndimit. Kjo është fundamentalisht e gabuar. Turqia e përkah antarësimin e Kosovës në institucionet euroatlanike…çka ne ofrojmë është jo të zëvendësojmë dikë por t’i kontribojmë Kosovën tutje”, ka deklaruar ai.
Ambasadori Angili thekson se bashkëpunimi në mes dy vendeve do të vazhdojë e njëherit, edhe do zgjerohet.
Ishte e diela e 16 korrikut kur arma më e rëndë që e posedon Kosova u bënë dronët Bayraktar TB-2.
Me shpejtësi rreth 220 kilometra në orë, droni turk në qiell mund të fluturojë mbi 27 orë pa ndërprerë.
Sa dronë i ka blerë Kosova nga Turqia nuk dihet, por “Bayraktar-i“ turk, është prezantuar zyrtarisht në njërën nga bazat e FSK-së.