Një nga terroristët e vrarë serbë në Banjskë më 24 shtator ishte edhe Bojan Mijailoviq.
Sipas institucioneve të Kosovës, sulmuesi i vrarë ka qenë truproja e shefit të inteligjencës së Serbisë, Aleksandar Vulin, kur ky i fundit vizitoi Kosovën në vitin 2013.
Por, Vulin ishte udhëheqës i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë deri mbrëmjen e së premtes, pasi dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Largimin e tij, Vulin e arsyetoi me pretendimet se ShBA-ja dhe BE-ja ia kërkuan këtë për të mos i vënë sanksione Serbisë.
E, dorëheqja e tij, pos për shkak të lidhjeve të ngushta me Rusinë, sipas publicistit kosovar, Shkelzen Maliqi, ka të bëjë edhe me sulmin terrorist në Banjskë kundër Policisë së Kosovës.
“Ka pas presione sidomos prej amerikaneve për shkak të afërsisë së tij me Rusinë edhe tash pas Bansjkës ndonëse nuk janë publiku rezultatet e hetimeve supozohet se ka qenë i involvuar ose të paktën është dashur ta di se çka po përgatitet prandaj është pritur kjo dorëheqje e tij”, ka deklaruar Shkelzen Maliqi – Publicist.
Vlerësim të ngjashëm ka edhe njohësi i sigurisë, Valdet Hoxha, i cili thekson se kjo dorëheqje nuk është bërë me vullnetin e shtetit serb.
“Është e konfirmuar që veprimtaria e këtyre personave është në drejtim të deestabiliteti të rajonit dhe ne funksion të zbatimit të politikave ruse si zgjatim i politikës ruse në rajon. Pra këto dorëheqje janë të imponuara”, ka thënë Valdet Hoxha – Njohës i sigurisë.
Vulin në korrik të këtij viti u fut në listën e zezë të ShBA-së, pasi sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ai është i përfshirë në trafikim të armëve dhe në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Gjithashtu, në arsyetimin e sanksioneve përmendet fakti që marrëveshjet e tij korruptive kanë lehtësuar aktivitetin malinj rus në Serbi dhe rajon.
Tani ish-shefi i BIA-s, ishte kritikuar edhe për pjesëmarrjen e tij në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë të Rusisë.
Në komunikatën e dorëheqjes së tij, Aleksandër Vulin tha se Serbia është në presion që të njohë Kosovën, të largohet nga Republika Srpska dhe të mos jetë vend dhe komb sovran, duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse.