A mund të shmanget Asociacioni?

Më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese deklaroi se parimet e përgjithshme të dokumentit mbi AKS-në nuk ishin në koordinim të plotë me frymën e Kushtetutës. Megjithatë, presioni ndërkombëtar për formimin e tij po vazhdon. Por, a mundet që formimi i një asociacioni të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë?

(Majtas) Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti (djathtas)
(Majtas) Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti (djathtas)

“Kosova të nisë themelimin e Asociacionit, s’duhet të jetë Republikë Srbska”, “Kosova ta formojë Asociacionin”, “Asociacioni do të themelohet, qëllimi ynë është të bëhet sipas Kushtetutës së Kosovës”, “Asociacioni është kurth”, “Asociacioni pjesë e marrëveshjes së përgjithshme”, “Asociacioni nuk duhet themeluar”.

Këto janë disa nga fjalët më të shpeshta përgjatë muajve të fundit lidhur me çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, temë kjo e cila po shtyhet përpara nga ndërkombëtarët.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Brukselit apo Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve në prill vitit 2013. Pjesë e kësaj marrëveshje ishte edhe formimi i AKS-së.

Por, ndonëse në presion ndërkombëtar, a do mund të shmanget formimi i AKS-së?

Analisti, Shqiprim Pula ka thënë se dokumenti i 2013-tës ka mangësi dhe si i tillë, nuk paraqet një obligim për Kosovën.

“Të shmangurit e formimit të një Asociacioni/Bashkësie …bëhet vetëm duke vlerësuar dhe konkluduar qartë dhe objektivisht mangësitë ligjore që ka “dokumenti i nënshkruar” i 19 Prillit 2013, i cili nuk paraqet kurrfarë obligimi ligjor shtetëror e ndërkombëtar për Kosovën, përpos thirrjeve të parreshtura politike”, ka deklaruar ai.

Më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese deklaroi se parimet e përgjithshme të dokumentit mbi AKS-në nuk ishin në koordinim të plotë me frymën e Kushtetutës.

Pula vlerëson se qëllimi i një Asociacioni të tillë do të ishte, siç thotë ai, dorë e funksionalizuar serbe brenda rregullimit shtetëror të Kosovës dhe se ndikimi i saj, duke u bazuar edhe në të kaluarën historike, do ishte vetëm negativ.

Nga pikëpamja e analistit, kjo çështje është bërë më se konsumuese.

“Çështja e Asociacionit/Bashkësisë …pa dilemë ka konsumuar aq shumë energji politike sa që ka ndërruar mjaftë rrjedha politike që kanë të bëjnë me Kosovën. I gjithë spektri politik ka përballuar një barrë të pa dobishme për vendin, sepse prej kohësh është shndërruar në thembrën e Akilit!”, ka deklaruar ai.

Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Mirëpo, nga ana e individëve të tjerë të fushës, çështja e formimit të Asociacionit po shihet sikurse e pashmangshme.

Sipas analistit Arbnor Sadiku, tashmë çështja është tek lloji i modelit të AKS-së dhe jo tek shmangia e saj.

“Në fazen që jemi është vështirë, të themi se mund të shmanget krijimi Asociacionit me shumicë serbe, sepse tani ai është ratifikuar në Kuvend, por, ne jemi në fazën se çfarë modeli të asociacionit do ndërtojmë, këtu Qeveria e Kosovës do duhej të ishte më transparente dhe hapur për media, shoqërinë civile, ekspertet që të ofrojë tipe të tjera të asociacionit të komunave me shumicë serbe, të ofrojë planin A,B,C, etj.”, ka deklaruar Sadiku.

Ky i fundit thotë se megjithëse nuk thuhet haptazi, janë kompetenca shtesë ato të cilat po kërkohen për AKS-në.

“Asociacioni parasheh një marrëdhënie te re midis pakicës serbe në Kosovë, dhe shumicës shqiptare. Pra, ky asociacion parasheh një Kosovë e cila trajton ndryshe komunitetin serb nga komunitetet tjera dhe shumica shqiptare. Në fakt, kërkohet të jepen kompetenca shtesë një pushteti të tretë, edhe pse shprehimisht nuk thuhet, por efektivisht ka këtë kuptim, pra, organizimi i ri i jetës dhe zhvillimit ekonomik dhe politik të komunitetit serb në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Sadiku thotë se vendimi i Kushtetueses do duhej të merrej parasysh duke mos “fuqizuar” Asociacionin si një pushtet i tretë por një i barazisë dhe afirmimit më të madh të pakicës serbe në Kosovë. I njëjti thotë se çdo Asociacion i cili në normat e tij do të përfshinte rekomandimet e Kushtetueses, do mund të konsiderohej i pranueshëm edhe për Republikën e Kosovës.

Analisti Arbnor Sadiku

Politologu, Agron Hoti bën një vlerësim të situatës duke qenë se problemi në mes Kosovës dhe Serbisë është një problem i përmasave ndërkombëtare, i njëjti kërkon një zgjidhje të kësaj natyre. Sipas tij, përderisa problemi Kosovë-Serbi nga Perëndimi vazhdon të trajtohet nga pikëpamja e sigurisë rajonale, atëherë vetë trajtimi i tillë tregon se sa sfiduese është çështja.

I pyetur se çfarë mendon se rreth qëllimit të formimit të një asociacioni të tillë dhe si do të ndikonte në proceset politike të Kosovës, Hoti thotë se qëllimi mbetet “mjeti shpërthyes i Zajednicës”.

“Qëllimi i Serbisë është që ‘Zajednica’ të jetë një minë e kurdisur në Kosovë si dhe si një arsyetim i qeverisë serbe për t’u thënë qytetarëve të saj se përmes ‘Zajednicës’ nxorën më të mirën të mundshme për serbët në Kosovë. Sigurisht që Kosova nuk ka nevojë për kurrfarë ‘Zajednice’, sepse ka kushtetutën më liberale në Evropë me bazë multietniciteti. Por, në qoftë se AKS bëhet siç janë zotuar vazhdimisht SHBA e BE, atëherë ajo nuk do të mund jetë as minë e as bosnjizim me qëllim defunksionalizimi të shtetit të Kosovës. E Kosova nuk mund të ketë garant më të fortë se SHBA-në në këtë proces, sepse fundja pa SHBA-të sot s’do të kishte më as Kosovë. Prandaj, në qoftë se SHBA dhe BE kanë qenë garantuesit e pavarësisë së Kosovës, atëherë ato do të jenë garantuesit edhe të mosdefunksionalizimit të Kosovës. Fundja, nëse Kosova nuk do ta kishte mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, s’do të kishte pasur mundësinë të vinte as deri këtu ku është sot”, ka deklaruar ai.

Krahas kësaj, Hoti thotë se sa herë që Kosova ka nënshkruar dokumente të njëjtat i ka refuzuar Serbia, ndërkohë që fituese gjithmonë ka dalë Kosova e kjo sipas tij vie nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Politologu Agron Hoti

A mundet që formimi i një asociacioni të tillë do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë?

Negociatat e para për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisën në vitin 2011 me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të njëjtat, vazhdojnë edhe sot. A mundet formimi i AKS-së të shënojë një përparim në këto negociata, përkatësisht drejt marrëveshjes finale?

Analisti Pula thotë se një Asociacion do të sillte vetëm vështirësi politike.

“Asociacioni/Bashkësia … nëse pranohet, si e tillë në gjeografinë dhe demografinë e brendshme të vendit do të paraqiste përveç se vështirësive politike edhe vështirësi burokratike e të natyrave të tjera”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, politologu Hoti thotë se koordinimi i Kosovës me SHBA-të dhe BE-në do të ndihmojë në zhbllokimin ndërkombëtar të saj.

“Duke e parë izolimin dhe bllokimin ndërkombëtar nga ku po rrezikohet vetë Kosova e më pas rajoni dhe BE si dhe duke e parë kërkesën me ngulm të SHBA-së dhe BE-së për ta bërë ‘Zajednicën’ (jo një-etnike) por me shumicë serbe, atëherë koordinimi i Kosovës me SHBA dhe BE do të ndihmojë në zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës, hapjen e rrugës për investime dhe integrim evropian”, ka deklaruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Njëra ndër kushtet është se “Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.

E këto kushte të kreut të ekzekutivit kosovar, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i ka cilësuar si “përrallë”, duke theksuar se Kurti “nuk do që të formojë Asociacionin”.

Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, e ka potencuar përkushtimin e Kosovës që sa më shpejt të arrihet dakordimi final rreth propozimit të BE-së, të mbështetur nga Franca e Gjermania.

Ai ka treguar rrethanat, në të cilat, do të zbatohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

-Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

-Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas kushtetutës.

-Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

-Para vendosjes së asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

-Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Kosovën.

-Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-se për mospranimin e aplikimit të Kosovës në BE.

Injorimi i Kurtit nga ambasada e SHBA-së

Kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti kishte deklaruar se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, takim në të cilin do të diskutohej për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një intervistë për REL, Kurti ka thënë se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Në janar të këtij viti, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, është rruga më e mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve drejt një paqeje të qëndrueshme.

Escobar tha se bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kurti nuk nuk ka nevojë të pajtohet, Kosova është pajtuar”, duke theksuar se “një person, një palë nuk mund të shmangë atë. Ky është një detyrim ekzistues. Kosova është pajtuar tashmë si qeveri. Çështja është se si do të zbatohet”, ka thënë Escobar për Zërin e Amerikës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, të martën e 31 janarit duke filluar nga ora 10:00, mbajti një diskutim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në këtë takim morën pjesë pjesëtarë të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë të partive politike dhe diplomatë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika