Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Integrime Evropiane, teksa është pyetur se a ndjehet fajtor për “dështimet në dialog”, ka thënë se të arriturat e opozitës së tanishme mund t’i numërojë e pastaj të flet për “dështimet” qeveritare në shkatërrimin e këtyre sukseseve të arritura nga vetë opozita.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka pyetur se si Bislimi e sheh procesin e dialogut, duke shtuar se veprimet qeveritare “fëmijërore” nuk janë aspak në të mirë të vendit.
“A ndjeheni fajtor që dështimet që i keni pasur në dialog, mbase veprimet e pamatura, jo të koordinuara kanë bërë që për herë të parë ky proces të ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave?”, ka thënë ajo.
Dështimet në dialog, veprimet e pamatura, veprime fëmijërore, sipas Bislimit janë tri fjalët e Deliut përmes të cilave siç thotë ai, Deliu përpiqet të krijojë narrativë.
“Nëse më thoni për procesin edialogut unë iu tregoj për të gjitha të arriturat e juaja, në veri, në sundimit e ligjit, kontrabandën, laboratorët e drogave, rrugët ilegale, zgjedhjet në veri, përdorimi i dinarit, mospagesa e rrymës, tatimeve, ujit, targat e Millosheviqit, të gjitha të arriturat e juaja i numëroj dhe pastaj ju flas për dështimet tona në shkatërrimin e këtyre sukseseve të juaja”, ka thënë Bislimi.
“Ajo që vërejta është që dy veprimet që kanë ndodhur, tash meritat po i takojnë opozitës, nuk e kam fare problem këtë. Sukseset e qeverisë janë suksese të opozitës ndërsa dështimet në kuvend janë dështime të qeverisë, duhet të pajtohemi më këtë format të diskutimit”.
Ai ka theksuar se është vlerësim që raporti për vendin i vitit 2022, është raporti më i mirë historikisht i arritjeve të Kosovës që nga viti i parë i implementimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimi.
“Nëse kjo është dështim atëherë mendoj që pritjet e juaja janë shumë më të mëdha sesa pritjet e vetë tonave që janë për neve, por që ka mundësi edhe për progres më të madh nuk e mohoj”, shtoi ai.
“Sikur ju t’i kishit pasur vetëm çerekun e informacioneve që unë i kam për se si është prezantuar Kosova deri në mars 2021 në dialog dhe si përfaqësohet tani, do ishit turpëruar të vinit në seancë”.
Sa i përket çështjes së targave, Bislimi ka potencuar se me vetë publikimin e tekstit të marrëveshjes “kemi qenë plotësisht transparent dhe nuk kemi fshehur asnjë detaj të marrëveshjes”.