A po fitojmë?

Në pyetjen e politikanëve “a po fitojmë”, kundërpyetja e qytetarëve do të duhej të ishte “për çka?”. Sepse, pasi përfundojnë tubimet dhe entuziazmi partiak, sfidat e tyre mbeten ato të vjetrat: që nga arsimi i dobët dhe shëndetësia jo në nivel, deri te jetesa e shtrenjtë dhe problemet me ndotjen

“A po fitojmë?”, ka qenë thirrja më e shpeshtë e zyrtarëve të partive politike javëve të fundit, teksa iu drejtoheshin qytetarëve të mbledhura nëpër salla dhe sheshe. “Pooo”, ishte përgjigjja e të pranishëmve.

Nën entuziazëm e brohoritje nuk ishte fort me rëndësi se çfarë iu thoshin atyre kryetarët e partive dhe kandidatët për deputetë. Për ta partia e tyre ishte “më e mira” dhe do të fitonte.

Për tridhjetë ditë fushatë zgjedhore partitë politike, aktivistë të tyre dhe simpatizantë më tepër kanë bërë garë se kush po i mbush sallat më shumë, sesa kush po zotohet e po i bind se do të bëjë punë të mira për qytetarët. Kryesisht numri i njerëzve në salla, e jo programet politike, kanë qenë në qendër të vëmendjes.

Ndërkohë, fjalimet e politikanëve kanë pasur plot “margaritarë”. Shifra marramendëse shumëmilionëshe, miliardëshe, shumëmiliardëshe investimesh, rritje pagash e pensionesh, gjithçka për fëmijë, të rinj e të moshuar. E premtimet nuk bën të mos shoqërohen edhe me akuza e sulme për rivalët politikë, krejt me qëllimin për të shfaqur tjetrin të keq e veten të mirë.

* * *

Kur thirrjes “a po fitojmë?” njerëzit nëpër i përgjigjeshin me “pooo” mbase nuk e kanë pasur fort mendjen se çfarë do të mund të përmirësohet në jetën e tyre praktikisht, po që se fiton partia që përkrahin. Përgjigjja ishte më tepër konfirmim formal i dëshirave të politikanëve për të arritur fitore. Sepse, pasi përfundojnë tubimet dhe ua mësyjnë shtëpive, sfidat e tyre janë ato të vjetrat: arsimi i dobët, shëndetësia jo në nivel, jetesa e shtrenjtë, problemet me ndotjen e plot të tjera.

Në pyetjen “a po fitojmë”, kundërpyetja do të duhej të ishte “për çka?”. Nëse ju fitoni, si do t’ia bëni që ta rrisni cilësinë në arsim, çfarë reforme do të ndërmerrni në këtë sektor? Nëse ju do të fitoni, si do t’i përmirësoni shërbimet shëndetësore, si do të arrini të ofroni sigurimet për qytetarët, çfarë do të bëni që sektori publik të mos jetë kryesisht vend rekrutimi pacientësh për sektorin privat? Nëse ju do të fitoni, çfarë do të bëni që jetesa e njerëzve të mos jetë kaq e shtrenjtë, çfarë do të bëni që t’i ulni dhe kontrolloni çmimet e produkteve elementare? Nëse ju do të fitoni, çfarë masash do të ndërmerrni për të “luftuar” ndotjen e ajrit dhe ujit, mbeturinat që kanë ngulfatur vendin? Nëse ju do të fitoni, si do ta bëni Kosovën vend tërheqës për investime nga jashtë, si do ta shndërroni në destinacion turistik? Nëse ju do të fitoni, çfarë do të bëni për të rinjtë, në mënyrë që ata të vazhdojnë jetën dhe punën në vendin e tyre? Nëse ju do të fitoni, çfarë do të bëni për të moshuarit, që të mund të jetojnë me dinjitet, gjë që nuk e kanë arritur tash e një çerek shekulli? Nëse ju do të fitoni, çfarë do të bëni për grupet e shkelura, të margjinalizuara? Nëse ju do të fitoni, çfarë do të bëni që vendi të forcojë subjektivitetin ndërkombëtar? Nëse ju do të fitoni, çfarë do të bëni që të ndërmirren hapa tutje dhe vendi të mos mbetet peng i mungesës së vendimeve të domosdoshme?

Ka plot “nëse”, të cilat mbyten nën brohoritjet e simpatizantëve dhe tifozllëkun që shurdhon. Ka plot “nëse”, të cilave nuk iu jepet përgjigje nëpër studio televizive ose jepen përgjigje të kamufluara, aso sa për të thënë. Ka plot “nëse”, të cilat janë dilema jetike për këdo që merr pushtetin.

* * *

Të dielën e 9 shkurtit duhet votuar. Duhet shprehur vullnetin e lirë në përkrahje të opsionit, për të cilin qytetarët mendojnë se është më i duhuri. Për ta mbajtur përgjegjës liderin e partisë, në thirrjen e të cilit “a po fitojmë?” janë përgjigjur me “pooo”. Përtej qindra tubimeve e takimeve me qytetarë, të dielën ka rëndësi vetëm vota në kuti. Ka rëndësi votimi lirshëm dhe pa kurrfarë presioni.

Të fundit nga rubrika