Të dhëna të ndryshme personale, duke filluar nga emrat, mbiemrat, shkollimi, vendi ku jetojnë e deri te masat ndëshkuese me të cilat mund të ishin përballur dy të miturit që dyshohen se janë të përfshirë në rrahjen brutale, e cila pati pasojë vdekjen e të riut Lulzim Fejzullahu në Podujevë u publikuan nga media të ndryshme online gjatë gjithë javës.
Këto të dhëna në bazë të Kodit të drejtësisë për të mitur janë konfidenciale për shkak se të dyshuarit janë nën moshën madhore dhe të njëjtat duhet të publikohen vetëm në rastet kur autorizon gjykata.
Në emisionin “Kallxo Përnime” u diskutua për rrezikun nga publikumi i këtyre informacioneve dhe dëmeve që mund të shkaktojnë ato në rehabilitim dhe risocializim të të miturve pasi t’i kryejnë masat ndëshkuese.
Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, kritikoi fillimisht qasjen që ka pasur kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kur doli dhe dha informacione që zbulojnë rrethana të ndryshme për një të mitur që dyshohet se është i përfshirë në rast.
Kryetari Bulliqi, në mbledhjen që u mbajt në fillim të javës në komunën e Podujevës me Këshillin për Siguri në Bashkësi, mori informacione nga organet e rendit për rastin tragjik në këtë komunë e më pas nuk e pati problem që të njëjtat ndonëse jo në formë të detajuar, t’i paraqesë në një konferencë para gazetarëve.
Mushkolaj tha se ky veprim është joprofesional.
“Kryetari më shumë tingëlloi si një prokuror sesa një kryetar. Ai nuk ka pasur nevojë me dalë në këtë konferencë, është totalisht e panevojshme. Normalisht, ai mundet t’i mbledhë zyrtarët komunalë, drejtorët, me diskutu, por jo me thirrë konferencë për shtyp e me tregu të dhëna edhe personale apo duke zbuluar rrethana të tjera të cilat identifkojnë personat e mitur dhe në anën tjetër duke treguar historinë e njërit apo dy të miturve që janë përfshirë në vepër penale”- tha Mushkolaj në debat.
Tutje, ai shtoi se raportimi etik nga ana e gazetarëve është e rregulluar me udhëzime e kode të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillit për Mediat e Shkruara.
“Mediat asnjëherë nuk duhet të publikojnë emrin, atësinë apo amësinë, mbiemrin, fotografinë, video apo imazhe të tjera të fëmijëvë nën moshën 18-vjeçare, të cilat janë të përfshira apo ndërlidhur me aksidente, incidente, dhunë, vepra penale, fatkeqësi natyrore apo veprime të tjera dhe po ashtu moszbulimin e rrethanave të tjera që mund të identifikojë fëmijën, vendi ku banon, shkolla që vijon, lagjja ku banon. Pra, është e përcaktuar saktë se si duhet me raportu media”- citoi Mushkolaj një nga pikat e Komisionit për Mediat e Shkruara.
Ai thotë se raportimi joprofesional nga ana e gazetarëve nuk është parë vetëm në ngjarjen e fundit të regjistruar në Podujevë.
“Nuk është hera e parë që në raste të ngjashme mediat shkojnë përtej respektimit të kodit ose edhe gjejnë arsye që me e publiku edhe pamje të cilat nuk përkojnë me kodin. Nuk është çështje financiare kjo, besoj që më shumë është kjo te logjika e publikimit të diçkaje përpara dikujt si një ekskluzive, po flas në logjikën e mediave, por në anën tjetër prapë është e rëndësishme debati që përtej publikimit të videove dhe pamjeve të tilla në raport me kodin se si duhet të raportohet debati i interesit publik” – shton ai.