Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka dhënë disa propozime në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike në vend.
Ai në një konferencë për media, ka thënë se AAK-ja konsideron jetike fokusin e politikave të shtetit në investime strategjike për energji, dhe se përmirësimi i gjendjes në sektorin e energjisë mund të ndodhë me tri veprime të sakta dhe të drejtpërdrejta.
“Ndërtimi i një termocentrali të ri, rikthimi i termocentraleve duhet të stimulohet dhe të subvencionohet energjia alternative, ajo me erë, solare dhe hidrocentralet e vogla për të cilat duhet të ketë analizë të saktë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se AAK-ja ka nisur procesin e konsultimit publik me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe procesin e tryezave me argumentimin se pse Kosova duhet të ketë investime në energji.
Ndërsa sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Tahiri ka thënë se Kosova duhet të angazhohet për marrëveshje finale.
Ndërkaq për vizitën e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, ai ka thënë se edhe një herë është theksuar se mbështetja amerikane për Kosovën vazhdon.
Ndërsa deputeti Pal Lekaj ka thënë se edhe çështja e energjisë në veri duhet të rregullohet.
Lekaj ka thënë se organizmat që kanë kompetenca për energji të veprojnë në veri, dhe se Elektroseveri duhet t’i kryejë obligimet dhe veprimet e nevojshme.