Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka deklaruar se partia e tij do të kërkojë debat parlamentar për sigurimin shëndetësor për qytetarët e Kosovës dhe se përfundimisht do të dalin me një rezolutë.
Në një konferencë për medie të hënën, Dreshaj ka thënë se pret që ky debat parlamentar të mbahet të enjten.
“E kemi thirrur këtë konferencë ta informojmë opinionin e gjerë lidhur me situatën e rëndë të shëndetësisë dhe njëkohësisht mungesën e sigurimeve shëndetësore në vend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreson që ditën e enjte do të bëhet një debat parlamentar lidhur me gjendjen në shëndetësisë, problemet e përditshme të cilat po hasim në shëndetësinë dhe në mungesë të sigurive shëndetësore”, ka deklaruar Dreshaj në konferencë për medie.
Dreshaj, gjithashtu, ka theksuar se në këtë seancë do të kërkojnë miratimin e një rezolute dhe se presin mbështetjen e pozitës dhe të opozitës.
Sipas tij, arsyeja për këtë është se “tre vitet e fundit për çdo vit e kemi në agjendë ligjin për sigurime shëndetësore dhe ende nuk e kemi në duart tona, dhe si duket ende nuk do të jetë në këtë agjendën pranverore që jemi”.