Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka ritheksuar të mërkurën qëndrimin e saj për formimin e një qeverie opozitare, duke e konsideruar këtë si alternativën më të mirë për vendin.
Në një njoftim pas mbledhjes së kryesisë, AAK-ja ka theksuar se pas caktimit të datës për mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, është e palëkundur në përpjekjet për të formuar një qeveri opozitare.
“Në këtë momentum të ri politik, pas caktimit të datës për mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur për formimin e një qeverie opozitare, si alternativa më e mirë për vendin”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kjo parti pas mbledhjes së mbajtur nga kryesia e saj.
Gjithashtu, në këtë mbledhje u diskutuan zhvillimet e fundit politike dhe përgatitjet për zgjedhjet komunale që do të mbahen në tetor.
Partia ka nisur procesin e identifikimit të kandidatëve për asambletë komunale dhe për kryetarë komunash.
Sipas AAK-së, në komunat ku aktualisht qeveris, kryetarët e tanishëm do të garojnë për një mandat të ri.