Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, të tërhiqet.
Kështu ka thënë shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
“Ne në seancën e kaluar kemi pasur një diskutim të gjatë në foltore, dhe kemi kërkuar që ligji në fjalë të kthehet në qeveri për shkak se, ky ligj është një ligj i cili fillimisht për qëllimin që po ndodh nuk ka kurrfarë impakti. Po të ishte paga minimale e përcaktuar në propozimin tonë që e kemi pasur, prej 370 euro Neto, atëherë ka pasur një diskutim. Në kuadër të këtij ligji është një nen, i cili e largon një kategori të nderuar të vendit nga lidhja me pagën minimale”, ka thënë ai.
Sipas tIj, do të ishte më profesionale dhe më llogaridhënëse nëse ky ligj tërhiqet nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë. Të ulemi që të diskutojmë për ndërlidhjen, edhe për votimin që e kemi bërë për skemën sociale. Kjo kërkesë është legjitime, e cila është minimale në raport me të gjitha çështjet e ngritura, debatet që i kemi pasur. Propozimi ynë është të largohet nga tema, të vazhdojmë me temat tjera e të ulemi të diskutojmë. Nëse e mjiratojmë këtë ligj do të bëjmë një gabim të madh”, ka shtuar ai.