Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar përsëri nga Qeveria e Kosovës që ta ndërrojë nenin e skemave pensionale, i cili sipas tij është diskriminues.
Ai e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas tij i ka ndërruar qëndrimet pas ardhjes në pushtet për Ligjin për skema pensionale.
Dreshaj ka kërkuar që të ndryshohet kriteri i cili kërkon nga punëtorët stazh 15-vjeçar të punës para një janarit 1999 për ta përfituar pensionin.
“Ky debat solli në pah se qëndrimet e partisë në pushtet ndërrojnë sipas agjendave dhe jo sipas programit. Kur LVV ishte në opozitë, e kishte mbështetur këtë ligj në mënyrë të plotë, ndërsa sot nga debati i organizuar shihej qartë se mungon vullneti politik që kjo çështje të shkojë përpara që të zgjidhet ky problem. Ky është diskriminim i jashtëligjshëm, i dhunshëm, me ç’rast këta njerëz nuk shkojnë në pensionim meritor me kontribute të veta që i kanë dhënë për aq vjet sa kanë punuar”, ka thënë ai.
Deputeti i AAK-së ka theksuar se ky kriter duhet të largohet, për shkak se gjenerata e cila është në radhë për t’u pensionuar nuk e plotëson këtë kërkesë, dhe sipas tij nuk mund të përfitojnë nga e drejta për pension më të dinjitetshëm.