Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar shkarkimin e Qeverisë aktuale në krye me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kjo për shkak se siç thotë ai, për “skandalet” e vazhdueshme që po ndodhin në vend.
Rastin e arrestimit të zyrtarëve të Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një biznesmeni të dyshuar për keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore, gjatë operacioni policor gjatë paradites të së premtes, Tahiri e quan skandal të përmasave ndërkombëtare.
“Për këtë skandal e hajni, për këtë vjedhje, e cila është ashiqare, Qeveria e Kosovës hesht, e akuzon Gjyqësinë dhe Prokurorinë. Ky pushtet nuk i beson shtetit të vet. Ky kryeministër do që të ketë sistem paralel. Fillimisht duhet të shkarkohet ministrja e MINT-it, në mënyrë që sa më pak me qenë politika e ndikuar në hetim. Është një skandal i përmasave vendore dhe ndërkombëtare që lidhet edhe me çështjet e rezervave shtetërore. Për ne është e habitshme se si po sillet kjo qeveri në raport edhe me çështje te tjera. Kjo situatë tregon që kjo qeveri e ka humbur rrugën. Kjo qeveri duhet sa më shpejt të shkarkohet. Jemi të bindur se kur do të fillojë seanca kemi kërkuar që të nisë me një seancë të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Ndërkaq, lidhur me vendimin e MASHT-it për mosshpërndarjen e teksteve shkollore, Tahiri ka thënë se i njëjti po provokon greva në arsim teksa shton se po dëmtohet arsimi publik e po krijohet krizë e re.
“Vendimi i MASHT-it lidhur me tekstet shkollore. Nuk ka logjikë në asnjë vend që një vendim i qeverisë që synon të ndihmojë nxënësit, ka mundur të merret muaj më parë, ky vendim është që të provokojë greva në arsim, të dëmtojë arsimin publik, të krijojë krizë, dhe të dëmtojë financiarisht qytetarin. Kjo situatë mund të përfundojë vetëm me shkarkimin e kësaj qeverie. Asnjë premtim nuk po mbahet, ka vetëm fjalë”.
Për deputetin e AAK-së, emri i qeverisë është “Qeveri, ndërsa mbiemri paaftësi, qeveria e paaftësisë”.