Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të enjten me ish-ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, i cili ka deklaruar qëndrimin si përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në takim, duke thënë se procesin e Vettingut e konsiderojnë të rëndësishëm dhe i japin përkrahje.
Këtë për RTV Dukagjinin, e ka bërë të ditur zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka.
“Në takim me kryeministrin Kurti për Vetingun, Aleanca është përfaqësuar nga ish-Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. U paraqit qëndrimi ynë se AAK këtë proces e konsideron të rëndësishëm dhe i jep përkrahje”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, ai ka thënë se nuk kanë besim që procesi të ketë sukses pa koncensus të plotë të brendshëm politik dhe pa përfshirjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Po ashtu, Blaka ka deklaruar se procesi i Vettingut nuk do të ketë sukses edhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, ai u shpreh se nuk kanë besim për suksesin e procesit nëse nuk bëhet vlerësimi i plotë i qëndrimeve të Komisionit të Venedikut.
“Sidoqoftë, AAK nuk ka besim që procesi të ketë sukses pa koncensus të plotë të brendshëm politik, pa përfshirjen e KGJK dhe KPK, pa mbështetjen e ShBA dhe BE dhe pa përfilljen në përpikmëri të qëndrimeve të Komisionit të Venedikut”, është shprehur Blaka.
Ndërkaq, të mërkurën Kurti ka zhvilluar takim me të parin e PDK-së, Memli Krasniqi. Në një konferencë për media, Krasniqi tha se procesi i vettingut duhet të zhvillohet përmes kuvendit.
Krasniqi u shpreh se PDK mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet ne koordinim me partnerët strategjikë, shoqërinë civile dhe palët tjera të interesit.
Ftesën për të folur për vettingun, e refuzoi Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi sipas tyre ata kontributin e tyre do ta japin në Kuvend.
Zëdhënësja, njëherit edhe anëtarja e kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi ka thënë se është “e panevojshme” ftesa e kryeministrit, për t’u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme.