Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo parti politike ka nisur sot takimet dhe konsultimet me grupe të ndryshme të interesit, si vazhdimësi e dialogut social, duke i takuar së pari përfaqësuesit e sindikatave në vend.
“Me përfaqësuesit e sindikatave, deputetët e Aleancës diskutuan për iniciativën e Grupit Parlamentar të AAK-së për dy çështje kryesore: Ngritjen e vlerës së koeficientit të pagave në 129 euro, përmes rishikimit buxhetor, e cila besoj do të mbështetet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nga të gjitha partitë; dhe për idenë dhe planin për hartimin e nismës ligjore për Ligjin e Pagave”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se në këtë ligj do të trajtohen dy elemente: ajo e klasifikimit të vendeve të punës, ku ka padrejtësi të mëdha; dhe e dyta, shtesa për rrezikshmëri në punë, e cila tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë dhe nuk po u jepet punëtorëve që u takon.
“Dialogu social për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është e një rëndësie të veçantë, dialog ky që tani e dy vite nuk po ndodh me Qeverinë e Kosovës. Nga lidershipi i këtyre sindikatave e morëm mbështetjen e plotë për të vazhduar konsultimin në kuadër të platformës së dialogut social me sindikata dhe për përfaqësimin e interesave të tyre në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.