Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), marrëveshja e Qeverisë së Kosovës e nënshkruar me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), është meritë e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Përmes një reagimi në Facebook, sipas AAK-së programi ‘Compact’ i kësaj marrëveshjeje ishte miratuar në kohën kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër.
“Ky është sukses i përbashkët i qeverisë amerikane dhe ish-kryeministrit Haradinaj. Kjo jo për t’u lavdëruar apo për meritë, por veç për hir të së vërtetës”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Ndërkaq, kjo parti politike teksa ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se marrëveshja e njëjtë do të duhet të nënshkruhej më herët dhe jo pas presioneve të vazhdueshme ndaj tij.
“Mirë do të ishte ta kishte pranuar menjëherë e jo pas presioneve të vazhdueshme që ia kemi bërë. Por më mirë vonë se kurrë. E pjesa tjetër sikur ky qenka një sukses i qeverisë së tij, nuk është gjë tjetër përpos fukarallëk”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës dhe përfaqësues të Millenium Challenge Corporate (MCC), kanë nënshkruar marrëveshjen për energji, nga e cila Kosova do të përfitojë 236.7 milionë dollarë.
Në njoftimin e MCC-së, thuhet se kjo marrëveshje është bërë për ta forcuar sektorin energjetik të Kosovës.
“Sot, MCC dhe Qeveria e Kosovës përmbyllën një javë produktive negociatash për një marrëveshje kompakte të propozuar prej 236.7 milionë dollarësh, e krijuar për të forcuar sektorin energjetik të Kosovës”, thuhet në njoftimin e MCC-së.
Po ashtu, sipas MCC-së, përmes këtij fondi synohet ulja e kostove të energjisë për familjet dhe bizneset.
“Investimet e MCC-së janë krijuar për të forcuar sektorin energjetik duke nxitur një qasje të drejtuar nga tregu për uljen e kostove të energjisë për familjet dhe bizneset, duke inkurajuar efiçencën e energjisë dhe duke zhvilluar burime të reja të prodhimit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, në ditën e parë të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte pritur në takim nga kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhej se ky takim shënonte fillimin e negociatave me MCC-në për projektin Kompakt, që, sipas tyre, e kalon shumën e 200 milionë dollarëve, e cila u nënshkrua të premten e që parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.
Nënshkruhet marrëveshja me MCC-në, Kosova përfiton mbi 200 milionë dollarë