Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka reaguar ndaj pretendimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ajo ka thënë se është vetëm ëndërr e kryeministrit Albin Kurti, për pretendimin e tij që Kosova do të aplikojë këtë vit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas saj, për një gjë të tillë duhet konsensus brenda Unionit Evropian, dhe një mori procedurash, të cilat Kosova aktualisht nuk i ka përfunduar.
Kadrijaj në një intervistë për Kosovapress, ka thënë se përderisa pesë vendet e BE-së nuk e njohin Kosovën do të jetë i vështirë aplikimi për anëtarësim në BE.
“Po shohim se nuk kemi asnjë aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe tash edhe në Këshill të Evropës”, ka thënë ajo.
Siç ka theksuar ajo, prononcimi i Kurtit se do të aplikojë për anëtarësim në BE, është një ëndërr që po e sheh, pasi ne kemi pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe aty duhet një konsensus.
Ka fjalë shumë, por jo veprime konkrete, sepse për anëtarësim në BE, duhet të ketë paraanëtarësim dhe harmonizim të legjislacionit me atë të BE-së, ka shtuar ajo.
Kadrijaj konsideron se dështimin më të madh Qeveria Kurti e ka në politikën e jashtme.
“Ju e dini se qeveria Kurti ka thënë se do të ketë prioritet angazhimin në politikën e jashtme dhe ne po shohim se nuk angazhimin në minimumin e angazhimit. Kjo qeveri është karakterizuar me skandale të njëpasnjëshme në diplomaci”, ka shtuar ajo.
Deputetja opozitare adreson kritika edhe ndaj pakos mbështetëse të qeverisë ndaj qytetarëve, derisa kërkon miratimin e projektligjit për paga.
“Po konsiderohet si lëmoshë, sepse në agjendën legjislative është paraparë që në muajin mars të vijë në Kuvend ligji i pagave dhe, përmes tij, rregullohet sistemi i pagave në sistemin publik, dhe kemi parë se është spostuar ky dhe nuk dihet kur do të sillet. Pastaj kemi kërkuar që të rregullohet paga minimale, ju e keni parë se kemi pasur debate të shumta për rritjen e çmimeve dhe energjisë”, ka deklaruar ajo.
Në muajin shkurt, Albin Kurti kishte deklaruar se këtë vit shteti i Kosovës do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti këto komente i ka bërë në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku ka kërkuar angazhim shtesë në zbatimin e reformave të cilat burojnë nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e njohur si (MSA).
Ai ka thënë se Kosova ka përgatitur Programin Kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2022-2026.
Kurti ka deklaruar se programi parasheh reforma konkrete në të gjitha fushat.
Po ashtu, ai ka kërkuar nga kabineti i tij që të angazhohet në zbatimin e reformave të cilat janë pjesë e MSA-së.
“Rëndësia e programit dhe prioriteteve politike në kuadër të agjendës për reforma evropiane sivjet është më e madhe, për shkak të zotimit politik që kemi marrë si Kosovës që sivjet të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Këtë Kurti e deklaroi edhe para disa ditësh në seancën parlamentare të Kosovës.
Ai u shpreh se Kosova do të aplikojë këtë vit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës.
Sipas tij, siguria është kyçe për Kosovën, ndaj përafrimi me Aleancën Veri Atlantike(NATO) është një detyrë tepër e rëndësishme për qeverinë.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë së Kosovës bëri me dije se fushata e nisur nga Serbia për ç’njohje të Kosovës nuk ka pasur sukses.