Pas deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje se për 20 vjet në Kosovë kanë qeverisur “shkatërruesit e shtetit”, ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në një përgjigje për RTV Dukagjini, nga kjo parti opozitare kanë thënë se VV po shpërndan gënjeshtra apo gjysmë të vërteta, dhe të vërteta të shtrembëruara, në mënyrë që të diskreditojnë kundërshtarin.
Zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka, ka theksuar se “prodhimi i fundit i agjitacionit dhe propagandës së VV-së, është shpërfaqje e metodave manipulative të tyre, metoda të përdorura gjatë tërë ekzistencës së tyre të fëlliqur në politikën kosovare”.
“Gënjeshtra e orkestruar (shumë njerëz të ndryshëm, dalin me fjali të njëjta, në kohë të njëjtë). Përhapja e dezinformatave të tmerrshme për kundërshtarët (përhapje konstante, derisa dezinformata të shndërrohet në të vërtetë)”, është shprehur ai.
Sipas tij, falë metodave “manipuluese”, të VV-së, ka njerëz në Kosovë që mendojnë se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka “zbrazur rezervat shtetërore”, dhe se e ka “shitur Çakorrin e Zhlebin”.
“Në fakt Qeveria nuk ka qasje në rezerva shtetërore por as demarkimi nuk është temë e mbyllur. Mbjellja e gënjeshtrës në mënyrë të orkestruar, derisa ajo të bëhet ‘e vërtetë’ në mendjen e masave”, ka thënë ai.
Ai ka potencuar se ndonëse Haradinaj ka qenë i pari i ekzekutivit vetëm për dy vjet dhe jo 20 vjet, i njëjti për 8 vjet radhazi, ka mbrojtur Luftën Çlirimtare në Gjykatën e Hagës.
“Ai nuk gëzoi benificione siç pretendojnë VV-ja, por ishte në ballë të protestave opozitare, për tema të interesit nacional”.
Madje siç thotë zyrtari i AAK-së, teksa Haradinaj ia ka vendosur tarifën 100 për qind Serbisë, të njëjtën ia hoqi VV-ja duke e shndërruar kështu Serbinë “kampione në tregun kosovar, dhe realizoi vetëm pesë për qind të buxhetit të paraparë për Ushtrinë”.
Teksa ka kritikuar qeverinë aktuale për keqmenaxhim, të njëjtën e quajti si të dështuar.
“Sot në fuqi e kemi qeverinë më të dështuar deri sot në Kosovë, qeveri e cila nuk ka realizuar as 5% të planit të punës e as 3% të investimeve kapitale. Kemi në pushtet, qeverinë e gënjeshtrës dhe mashtrimit, qeverisë së degradimit ekonomik, qeverinë e krizës energjetike dhe ngritjes enorme të çmimeve”.
“Kemi në pushtet qeverinë që punësoi familjarët, kapi bordet, korrupsionit i dha model e formë të re, e që Kosovën po provon ta kthejë në sistem njëpartiak, pasi që ka nën kontroll të plotë edhe Presidencën, e ka tendenca për kontroll të gjyqësorit dhe mediave”.
Ndryshe, video e VV-së, vjen në ditën kur grevat janë pezulluar dhe mësimi ka filluar, dhe ditë në të cilën Qeveria e Kosovës nuk ka ekzekutuar pagat për mësimdhënësit.
Në video shihet edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili ka shpallur greva të përgjithshme që nga 25 gushti, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se ka koalicion me PAN-in.
“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë, për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme, por praktikisht në një qëllim”, thuhet në postimin e tyre.
Sipas tyre, opozita kishte vetëm një qëllim.
“Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE”, thuhet më tutje.