Ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tani i pavarur, Haki Abazi, ka kritikuar Qeverinë duke thënë se vendi kurrë nuk ka qenë më i izoluar se tani.
Abazi në fjalimin e tij bëri disa kritika në drejtim të pushtetit duke i akuzuar edhe për gënjeshtra.
“Vendi kurrë nuk ka qenë më i izoluar. Jemi në fundin e fundit, jemi 20 vite mbrapa edhe me lirinë e lëvizjes, nuk mundeni me u kritiku me një proces që është nisur para 15 viteve. Mjaft me gënjeshtra, jemi nën sanksione… Asnjë minister nuk e keni që vjen me raportu. Jeni më keq se qeveritë tjera. Lërini debatet toksike”, ka thënë Abazi.
Ai gjithashtu pati një përplasje edhe me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bugujevci e cila po udhëheq seancën plenare, pasi nuk iu vazhdua edhe për një minut fjala deputetit Abazi që të përmbyll fjalimin e tij.
Nga ana tjetr, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës edhe kësaj here ka nisur një orë me vonesë.
Në nisje të kësaj seance pati disa mospajtime mes partive opozitare dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca rreth kuorumit për fillimin e seancës.