Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, ka reaguar përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, duke thënë se mungesa e demokracisë partiake prodhon pseudo përfaqësim dhe që Kurti sipas Abazit nuk është ndryshimi, ai është “vazhdimi i strukturave të kalbura që politikën e kanë strehë të keqbërjes dhe goditjen pas shpine”.
“Mungesa e demokracisë partiake prodhon pseudo përfaqësim! Përjashtimi pas faktit, nuk e bën rastin të vetëm, largimi dhe përjashtimi i aktivistëve të vërtetë ka krijuar hapësirë për më të këqinjët dhe ky rast nuk është përjashtim, ka shumë të tjerë si duket andaj vendimi nuk e shkarkon përgjegjësinë përkundrazi! Zgjedhjet e brendshme partiake ishin gënjeshtër e madhe pas dështimit të madh, çdo gjë ishte një improvizim, pa debat, pa vlera, pa principe dhe pa respekt minimal për sakrificën e të gjithë atyre që dhanë edhe jetën për kauzat e ndërtuara me motivin e rrenës dhe qëllimin e një individi manipulator e hipokrit!”, ka shkruar Abazi.
Tutje ai ka bërë të ditur se “dorëheqja në strukturat e larta sidomos nga sekretariati dhe kryesia do të duhej të ishte akti moral që pason! Nuk ndodhë sepse janë të atillë që shkelin edhe mbi gjakun edhe mbi varre”.
“Kurti nuk është ndryshimi, ai është vazhdimi i strukturave të kalbura që politikën e kanë strehë të keqbërjes dhe goditjen pas shpine dhe fyerjen e kanë mburojë për të palarat dhe paditurinë!”, ka përfunduar Abazi.