Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, i cili së fundmi është distancuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka treguar edhe një anë tjetër të rebelimit të tij.
Abazi në Debat Plus, tha se ai ka pasur pakënaqësi edhe me mënyrën se si është organizuar dialogu Kosovë – Serbi.
Deputeti Abazi, tha se është dashur të ketë koordinimin më të gjerë që marrëveshja me Serbinë të mos përqendrohet vetëm te Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Ideja nuk ka qenë të shkohet në diskutime teknike me njerëz të papërvojë, dhe pa një konsultë më të gjerë, rebelimi im rrjedh si pasojë e moskoordinimit të brendshëm të pozicionin dhe përfshirjes të njerëzve që mos me ardhë puna te çështja e një marrëveshje të ndërmjetme e përqendrume te Asociacioni. Sikur të ish heq Asociacioni ne kohën e qeverive të tjera, apo në fillim të dy vitëshit të parë sot kishim pasë tjetër diskutim sa i përket çështjeve me Serbinë”, ka thënë ai.
Me largimin e njohjes nga agjenda e dialogut, sipas Abazit, Kosova do të përballet me imponime të tjera nga bashkësia ndërkombëtare.
Tutje ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk e ka nënshkruar planin evropian sepse ai mendon se Kosova bëhet palë e barabartë.
Abazi tha se Serbia mund të fitoj më shumë se që ka fituar në marrëveshjen bazë të propozuar nga BE.
“Çështja e njohjes është largu nga agjenda, rrjedhimisht do të ketë imponime fazë të re të diskutimit. Pse nuk e nënshkrujti Vuciqin marrëveshjen? Vazhdon me refuzu me qit nënshkrim për ta bërë Kosovën palë të barabartë në një dokument të rëndëisshëm evropian. Pse me nënshkru kur mendon me fitu edhe më shumë se që ka fitu me marrëveshjen bazike me një marrëveshje të radhës me planin e ekzekutimit”, ka thënë ai.