Haki Abazi, deputet i Kuvendit të Kosovës, në seancën e veçantë të sotëm të Kuvendit, për takimin e djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me ndërkombëtarët, ka thënë se ai duhet të japp llogari në Kuvend.
“Vendi për me i dhanë llogari këtij populli dhe këtij shteti nuk janë as kafet dhe as Facebook-u, është parlamenti i Kosovës. Llogaria e ekzekutivit bëhet këtu, në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Abazi.
Abazi për rezolutën e Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, ka thënë se është e fuqishme dhe e rëndësishme.
“Duke vendosur fajin mbi adresën e duhur, është hera e parë që me gjuhë eksplicite Parlamenti Evropian, Bashkimi Evropian, kanë dënuar terrorizmin në veriun e Kosovës dhe jam i bindur që kjo është një arritje jashtëzakonisht e madhe”, ka thënë tutje Abazi.
“Fjalia e vetme që kisha dashur të shoh aty është pyetja që Parlamenti Evropian ishte dashur të i’a bëjë Kosovës se kush i ka lëshuar terroristët e rrethuar në Banjskë, kush ka marrë vendim që pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku këta terrorist të lejohen të shkojnë në Serbi dhe të jetojnë të lirë pa asnjë konsekuencë për veprimin e tyre në Kosovës. Sepse një drejtësi që nuk e merr epilogun e vet rrezikon që të përsëritet në vazhdimësi”, ka shtuar deputeti i Kuvendit.
Abazi ka thënë se dështimi i qeverisë që të marrë vendimin e duhur për t’i arrestuar terroristët në Banjskë është “jashtëzakonisht” i madh.
“Dështimi i kësaj qeverie që të marrë vendimin e duhur për t’i arrestuar terroristët dhe ata t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës për veprimet që kanë bërë është jashtëzakonisht i madh i gjithë hallkës së qeverisjes në Kosovë”, ka shtuar Haki Abazi.