Abazoviq mbështet Kurtin në lidhje me Asociacionin: S’mund të ketë një Asociacion në baza etnike

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e ka përkrahur qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk mund të ketë një Asociacion në baza etnike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë mbështetjen e kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abozoviq, lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Abazoviq ka thënë se nuk mund të ketë një Asociacion në baza etnike.

Në një intervistë për Top Channel, ai ka theksuar se për Kurtin ka vetëm mendim pozitiv dhe se ka simpati për luftën e tij kundër korrupsionit.

“Kosova nuk mund të ketë komuna të cilat janë serbe apo shqiptare, pasi ato të gjitha janë të barabarta si komuna të cilat u takojnë qytetarëve pa dallim. Kjo qasje e Kurtit është pozitive për rajonin”, është shprehur Abazoviq.

Ndërkaq, kryeministri Kurti, vazhdon të insistojë në mosthemelimin e një Asociacioni në baza etnike, duke cituar se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion njëetnik.

Po ashtu, ai ka potencuar se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një intervistë për REL, Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”, ka thënë Kurti.

Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.

Ai përsëriti se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

Kurti, po ashtu, tha se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika