Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do të qëndrojë në vizitë triditore zyrtare në Kosovë.
Përgjatë kësaj vizite, Abazoviq do të zhvillojë takime me krerët e shtetit dhe liderët institucionalë.
Në takimin ndërmjet dy kryeministrave, Albin Kurti dhe Abazoviq do të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.
Kryeministri i Malit të Zi, gjithashtu, do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës Përparim Rama, nga i cili do të pranojë Çelësin e Prishtinës.
Të premten, Abazoviq do të zhvillojë takime me drejtues të partive politike parlamentare.
Ai do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin, dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun.
Në vazhdën e vizitës së tij, ai do të takohet edhe me dy ish-presidentët e Kosovës, Atifete Jahjagën dhe Behgjet Pacollin.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, Abazoviqi do të takojë zëvendëskryeministren e Kosovës Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet joshumicë.
Ndër të tjera, ai do të takohet edhe me disa udhëheqës të disa bizneseve, ku do të nënshkruajnë memorandume bashkëpunimi.