Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas tubimit me qytetarë ka theksuar se Banja e Istogut ka qenë një moment i fuqishëm mbështetjeje dhe frymëzimi.
“Salla plot, korridoret plot, zemrat plot! Tërmeti elektoral është i paparë dhe mbështetja për LDK-në është e jashtëzakonshme”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka falënderuar organizatorët dhe ka vlerësuar angazhimin e përkrahësve të tij, duke shprehur besimin se Istogu dhe gjithë Kosova do të përfitojnë nga planet e LDK-së për zhvillim.
Abdixhiku ka theksuar projektet konkrete që përfshijnë mbështetje për bujqësinë, zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e infrastrukturës si hapa të rëndësishëm për të ardhmen e qëndrueshme të Kosovës.
“Mbështetje e zjarrtë e kësaj ane që na mbushi me krenari e me shpresë për të ardhmen! Banja e rreshtuar fuqishëm prapa vizionit të LDK-së për Kosovën përparimtare! U fola për angazhimin tonë për zhvillimin e Istogut dhe të gjithë Kosovës. Projektet tona për mbështetjen e bujqësisë, zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e infrastrukturës janë të qarta dhe të realizueshme”, ka theksuar Abdixhiku.
Në fund, ai ka bërë thirrje për një angazhim të mëtejshëm dhe ka shprehur besimin e tij të fortë se më 9 shkurt, Kosova do të festojë fitoren e madhe të LDK-së.