Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për situatën ekonomike të vendit, duke e akuzuar atë për mungesë vizioni dhe paaftësi në menaxhimin e ekonomisë.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se Qeveria aktuale ka sjellë vendin në prag të një krize të madhe tregtare dhe ka dyfishuar deficitin tregtar në vetëm katër vite.
“Kur nuk ke ide se nga shkon, kur nuk ke vizion të qartë mbi rrugën përpara, kur vepron në mjegull ekonomike, secili hap të duket një ecje përpara. Fatkeqësisht, për vendin tonë, hapat ekonomik të katër viteve të fundit janë hapa të mëdhenj prapa!”, ka shkruar i pari i LDK-së.
Sipas Abdixhikut, Kosova është pranë arritjes së një deficiti tregtar prej 5 miliardë eurosh në vit – një situatë që ai e përshkroi si të paprecedentë në historinë e vendit.
Ky deficit, sipas tij, është rezultat i paaftësisë së qeverisë për të nxitur prodhimin dhe krijimin e brendshëm, duke rritur varësinë e Kosovës nga importet.
“Jemi pak muaj larg para se Kosova, për herë të parë në gjithë historinë e saj, të kaloj deficitin tregtar prej plot 5 miliardë eurove në vit. Kaq është diferenca mes mallrave që i blejmë dhe atyre që i shesim. 5 miliardë euro blejmë më shumë se sa që shesim – në një vit. Rreth 50-60 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme me këtë trend. Kosova nuk po prodhon. Kosova nuk po krijon! Ky është rezultati i ekonomisë së Kurtit!”, ka shtuar më tej Abdixhiku.
Kreu i LDK-së theksoi se në katër vitet e fundit, deficiti tregtar është rritur nga 2.8 miliardë euro në 5.2 miliardë euro, duke e bërë Kosovën vendin më të varur nga importet në Evropë.
“Paaftësia kushton. Investime nuk ka. Projekte të mëdha nuk ka. Bizneset janë shtypur e varësia në import po thellohet secilin muaj. Qeveria populliste dhe Kurti nuk e kuptojnë ekonominë. Kaq dijnë, kaq bëjnë. Këta për katër vite kanë rritur deficitin tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë. Ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varur në importe në Evropë. Me kaq hendek, me kaq dallim, do të na duhen vite për të marrë veten”.
Në fund të postimit të tij, Abdixhiku bëri thirrje për ndryshim, duke theksuar se Kosova meriton më mirë dhe se një ndryshim i madh është i nevojshëm dhe i afërt.
“Kosova meriton më mirë. Jemi pak muaj larg ndryshimit të madh. Më 9 shkurt do ta bëjmë këtë ndryshim të madh bashkë”.