Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se dy shkurti i vitit 2023, është data e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën e tij në seancën e Kuvendit të Kosovës, Abdixhiku ka kërkuar nga kryeministri që të raportojë në Kuvend për marrëveshjen finale.
Sipas tij, Kurti e ka futur dialogun “në qorrsokak”.
“Kjo datë e sotme e 2 shkurtit 2023, është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës. S’po them që është mirë a keq. Po them që kryeministri i Kosovës që marrëveshja e vitit 2013 që është tani obligim ndërkombëtar për Kosovën, është e bëshme me disa kushte, por e bëshme është dhe kushti thelbësor është që ky Asociacion të jetë në përputhje me Kushtetutën, kjo ka qenë garanca gjithmonë”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku e ka kritikuar kryeministrin Kurti për qasjen e tij dhe “mostransparencën” në Kuvend.
“Kurti foli për një pikë numër 10, tash e 6 muaj ky dialogon me Vuçiqin, por qasja e kryeministrit, jo vetëm që ka sjellë në ndryshim thelbësor procesin e dialogut, por tani po flasim për një marrëveshje që nuk është as ligjërisht e obligueshme e nuk qartësohet në interpretimin e saktë të njohjes në të”.
“Mirë që i respekton marrëveshjet ndërkombëtare. Mbështetjen e plotë e ke të LDK-së për respektim të rendit të Kushtetutës dhe për mbyllje të procesit të dialogut, por eja raporto në Kuvend për marrëveshjen finale, sepse ke futur dialogun në qorrsokak”.